Tretja e shtetit komb: A është më Greqia-Greqi apo Franca-Francë?

15/04/2015 00:00

Nga Andrea Stefani – Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, po ia mbajnë me të madhe që, në një deklarim kontrovers të ditëve të fundit, e ka quajtur Kosovën “shtet shqiptar”. Pse? Sepse, pavarësisht se shqiptarët formojnë mbi 92 për qind të popullsisë prej rreth 2 milionë të Kosovës, atje ka edhe një minoritet serb, por edhe ca minoritete më të vogla turqish, romësh, boshnjakësh, kroatësh, ashkalinjsh apo egjiptianësh.

Por, po t’u referohemi statistikave, do kuptojmë se nëse shpallja e
Kosovës shtet shqiptar do të vlerësohej si e gabuar ose si e patakt, një
gjë e tillë duhet të vlejë edhe për shumicën e shteteve të sotme të
Europës, popullsia e të cilave, po pasurohet me shpejtësi me të huaj në
sajë të valëve në rritje të emigracionit prej të gjitha anëve të globit.
Pra, nëse është e gabuar për Ramën që ta emërojë Kosovën “shtet
shqiptar”, po ashtu duhet të quhet gabim për, të themi, Holond ta quajë
Francën “shtet francez”, Merkel Gjermaninë “shtet gjerman” apo Cipras
Greqinë “shtet grek”.

Sot po ndodh me shpejtësi procesi i shkombëtarizimit apo mbikombëtarizimit të shteteve kombe. Rrjedhimisht, emërtimet klasike kombëtare përputhen gjithnjë e më pak me përbërjen demografike të popullsive të këtyre shteteve për sa i përket kombësisë (nacionalitetit). Franca është gjithnjë e më pak Francë, Italia gjithnjë e më pak Itali, Gjermania më pak Gjermani e kështu me radhë.

Duke iu referuar statistikave mësojmë se, sipas censusit të vitit 2011, numri i rezidentëve të lindur jashtë është rritur në Angli dhe në Uells në 7.5 milionë, që do të thotë se 1 në 8 vetë ose 13 për qind e banorëve të Mbretërisë së Bashkuar, origjinojnë nga kombësi të tjera. A nuk kemi të drejtë që me kriterin e mësipërm të pakicave, të themi se Anglia është sot më pak Angli dhe Uellsi më pak Uells?

Qysh në vitin 2008, Instituti Kombëtar Francez i Statistikave vlerësonte se emigrantët dhe të lindurit nga familje emigrantësh, përbënin 11.8 milionë ose 19 për qind të popullsisë metropolitane franceze që, në atë kohë, numëronte rreth 62 milionë. A nuk kemi të drejtë të themi se edhe Holond ka gjithnjë e më pak të drejtë që thotë që Franca është franceze kur, përveç rreth 5 milionë që kanë emigruar në Francë nga kombe të ndryshme europiane, nja 4 milionë banorë të saj janë nga Magrebi, 1 milion nga Subsaharaja Afrikane dhe nja 400 mijë nga Turqia? Në Itali, në janar të 2013-s u vlerësua se kishte 4.4 milionë rezidentë me kombësi të huaj që zinin 7.4% të popullsisë me një rritje prej mbi 330 mijë vetash, krahasuar me një vit më parë. Në Greqi popullsia me kombësi jo greke është 8.4 për qind e totalit të popullsisë. Edhe Cipras duhet të bëjë kujdes kur ta quajë Greqinë “shtet grek”!

Në tërësi, në të gjithë Europën, po vërehet tendenca e rritjes gjithnjë e më të shpejtë të shtetasve me kombësi tjetër nga ajo e shumicave autoktone. Dhe nëse do të duam të parashikojmë se cila do të jetë e ardhmja, atë na e tregon Luksemburgu, që për shkak të përmasave të vogla si shtet, luan rolin e një epruvete eksperimentale, duke pasqyruar më radikalisht dhe më shpejt atë që pritet të ndodhë edhe jo për shumë dekada. Në Luksemburg që nga Censusi i vitit 2001, popullsia e huaj është rritur rreth 35 për qind: Në vitin 2001, të huajt përbënin mbi 43 për qind të popullsisë së Luksemburgut!

Shtetet kombe në Europë po i ngjasojnë atij moluskut që e ruan guaskën të pandryshuar në shekuj, ndërkohë që gjallesa brenda tij ka ndryshuar. Ato tashmë janë përherë e më pak shtete kombe duke u shndërruar në shtete jo saktësisht multietnike (sepse kjo presupozon bashkëjetesën e agregateve etnike të rrënjosura në një truall dhe jo thjesht prurje emigratore) por mbikombëtare.

Në këtë kuptim mund të themi: Po Kosova nuk është një shtet shqiptar, por duke theksuar edhe se shteti kombëtar është sot si një fantazmë që të gjithë e përflasin, por askush nuk e ka parë dhe nuk e shikon kurrkund. Thjesht e marrin me mend. Prandaj në kohën e sotme është donkishotizëm t’i rikthehesh idealit të një shteti kombëtar! Prandaj janë donkishotizma jo vetëm thirrjet etnonacionaliste për Shqipërinë Enike, por edhe për Greqinë etnike, Serbinë etnike, Gjermaninë etnike. Donkishotizëm janë të gjitha ksenofobitë dhe ekstremizmat që paradoksalisht po gëlojnë në Europë krahas me ndërkombëtarizmin e pandalshëm të shteteve kombe nga brenda dhe mbikombëtarizimin e tyre nga jashtë me anë të integrimit në BE. Prandaj të vendosësh shtetin komb si ideal të politikës sot, do të thotë të duash ta kthesh botën prapa në shekullin XIX. Një shekull që duke u bërë djepi i shtetit komb, gërmoi dhe varret e kombeve për luftërat e përgjakshme të shekullit XX.

Top Channel