Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dëshmon për rreth 4 orë në SPAK: Isha për…
Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dëshmoi për mbi tre orë në GJKKO, si dëshmitar në cilësinë e kallëzuesit për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.
Në dëshminë e zbardhur nga gazetarja Anila Hoxha, avokati i Sali Berishës e ka pyetur Ballën nëse ky i fundit e ka vënë në dijeni kryeministrin Edi Rama lidhur me kallëzimin në fjalë.
Pjesë nga diskutimet në gjyq:
Gjyzari: E di kur është ndërtuar për herë të parë në këto territore, kur është dhënë leje ndërtimi, për herë të parë?
Balla: E keni në kallëzimin tim pas vitit 2011, kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha.
Gjyzari: Kur është dhënë leje ndërtimi?
Balla: I pandehuri ka ndërtuar pas vitit 2011.
Gjyzari: Cilat janë procedurat për leje ndërtimi?
Balla: S’kam dijeni.
Gjyzari: Çfarë lidhje ka kryeministri Berisha në lidhje me njohjen, kthimin dhe privatizimin e pronës?
Balla: Ka firmosur vendimet e Këshillit të Ministrave në dyshimet e mia, për të gjitha këto faza. I keni edhe në kallëzimin tim.
Genc Gjokutaj: A mban mend sa ka qenë diferenca kohore nga koha kur është nisur kallëzimi me kohën e mbërritjes?
Balla: Nuk e mbaj mend, fiks di që ka qenë mes nëntorit.
Gjokutaj: I mbani mend dispozitat që i keni kallëzuar?
Balla: Korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre e të tjera.
Gjokutaj: Për aktin e aktit e kërkesës për gjykim jeni njohur?
Balla: E kam ndjekur nga mediat, por nuk jam njohur, nuk kam dijeni, pse është publike?
Gjykata: Jo, nuk është publike.
Gjokutaj: Ju i referoheni medias në shumë raste, çfarë lloji formash ishin këto media?
Balla: Media dixhitale.
Gjokutaj: E njihni shtetasin Edi Rama?
Balla: Po.
Gjokutaj: Ju thatë që e keni ndjekur këtë rast në mënyrë sistematike apo kur ju ka rënë rasti?
Balla: Të gjitha gjërat i kam ndjekur në mënyrë sistematike.
Gjokutaj: A keni kryer ndonjë veprim për ta penguar këtë procedurë, privatizimin?
Balla: Në nderin e madh që më kanë zgjedhur qytetarët, e kam ngritur këtë çështje në foltoren e Kuvendit dhe si qytetar i përgjegjshëm kam bërë edhe kallëzim penal.
Gjokutaj: E e keni vënë në dijeni Ramën për këtë kallëzim?
Balla: Jo fare, nuk e kam vënë.
Gjokutaj: A keni dijeni që kryetari juaj, Rama, ka firmosur për këtë çështje?
Balla: Ju përgjigja dhe të pandehurit, nuk kam qenë në dijeni.
Gjokutaj: Dëshmitari thotë që qëllimi ishte interes publik, këtë shqetësim a ja ka paraqitur kryetarit të tij?
Balla: As për këtë kallëzim, as për kallëzime të tjera, nuk i kam marrë ndonjëherë leje kryetarit të partisë.
Genc Gjokutaj: E njihni shtetasin Edi Rama?
Balla: E njoh patjetër. E njoh në mënyrë sistematike.
Gjokutaj: A keni kryer veprime konkrete për të parandaluar procedurën e korrupsionit që pretendoni, a keni kryer veprime për këtë çështje, për këtë leje?
Balla: E kam ngritur këtë çështje në Parlamentin shqiptar. Pastaj kam bërë detyrën time si qytetar, duke bërë kallëzimin.
Gjokutaj: Ka një problem, që ai ka firmosur kthimin e këtij klubi sportiv në terren ndërtimi, është kryetari juaj. Rrëfimi juaj sot bie ndesh me veprimin që ka kryer kryetari i tij.
Balla: As për këtë kallëzim, as për kallëzime të tjera, nuk kam marrë leje nga kryetari i partisë.
Gjergji Hyso, avokati i Xhimi Begeja: A keni akt të shkruar që është bërë shpronësimi i tokës nga qeveria italiane?
Balla: E nderuar gjykatëse, i jam përgjigjur disa herë kësaj pyetjeje. E thashë, e kam parë në media këtë.
Hyso: Pse s’keni kallëzuar bashkëpronarët e tjerë nëse kanë marrë një tokë që nuk u takon?
Balla: Ju thashë, nuk i dija bashkëpronarët e tjerë, se po t’i kisha, do t’i kisha bërë.
Xhimi Begeja: E dini dëshmitar për çfarë jam i kallëzuar unë?
Balla: Nuk më kujtohet vepra për të cilën ju kam kallëzuar.
Begeja: Prej teje jam unë këtu.
Begeja: Më ke kallëzuar për përvetësim prone, pastrim parash, grup kriminal? Për këto?
Balla: I kam sqaruar, nuk të kam kallëzuar për grup kriminal.
Begeja: A ka qenë president i klubit Partizani Albert Xhani?
Balla: Kam dëgjuar që ka qenë dikur.
Begeja: E dini që ka qenë president i klubit Partizani Paro Laci?
Balla: Di që ka qenë aty, por s’e di saktësisht çfarë funksioni ka pasur.
Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe shoqërisë “Kontakt Shpk”: Si e keni verifikuar se aeroporti i Tiranës shtrihej në këto prona?
Balla: Nga faktet e bëra publike në media.
Hazizaj: Ju thatë që kallëzimin tuaj e dërguar me një punonjës të Kuvendit. Kallëzimi juaj sa njerëzor dhe sa politik është?
Balla: Kallëzimi është si qytetar.
Hazizaj: E njihni zotin Fatmir Bektashi?
Balla: Kallëzimin e kam bërë në vitin 2020, nga të dhënat që kanë dalë, kompania Homeplan kishte një kompani mëmë. Aty ka dalë emri i kësaj kompanie.
Top Channel