Qeveria, kundër protestës. Thaçi: Dhuna, mesazh i keq për vendin

15/04/2015 00:00

Qeveria e Kosovës fton në mënyrë indirekte qytetarët, që t’i përgjigjen negativisht thirrjes për protestë nga opozita në datën 18 Prill.

Në deklarata të veçanta që u bënë gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi thanë se pushteti fitohet me votën e lirë të qytetarëve, e jo me protesta të dhunshme. Kryeministri Mustafa kërkoi që të gjitha çështjet të adresohen përmes institucioneve.

“Shpreh bindjen time, mendoj edhe të Qeverisë së Kosovës, se të gjitha problemet aktuale në vendin tonë, të cilat ekzistojnë edhe në çdo vend tjetër, por te ne natyrisht me kushte më specifike në një situatë të tillë të tranzicionit, duhet t’i zgjidhim brenda institucioneve të Kosovës, me vullnetin e qytetarëve të shtetit tonë. Ky vullnet është treguar në zgjedhjet e fundit, të gjitha institucionet dhe qytetarët e kanë pranuar votën e lirë të qytetarëve, si instrument kryesor demokratik dhe ky do të jetë instrumenti i vetëm, i cili do të na udhëheqë në zgjidhjen e çështjeve në të ardhmen. Nuk ka asnjë arsye, që zgjidhja e tyre të kërkohet në rrugë dhe jashtë institucioneve të Republikës”, tha Isa Mustafa.

Më i ashpër ishte zëvendëskryeministri Thaçi, i cili tha se paralajmërimet për protesta të dhunshme janë mesazh i keq për aktualitetin politik, institucional dhe aktualitetin euroatlantik të vendit.

“Realizimi i të drejtave politike mund të bëhet përmes procesit të rregullt demokratik zgjedhor dhe jo përmes shantazheve, kërcënimeve apo përpjekjeve të dhunshme për marrjen e pushtetit. Dua të theksoj se, paralajmërimi për protestë violente është mesazhi më i keq i mundshëm për aktualitetin institucional dhe euroatlantik të Kosovës”, u shpreh ai.

Thaçi vuri theksin te Gjykata Speciale dhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth ligjshmërisë së amendamenteve për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Pikërisht në këto ditë, kur pritet edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese për Gjykatën Speciale, të krijohet një situatë e tillë tensionuese në Kosovë është përpjekje për të mos pasur sukses Kosova në këtë proces, të cilin e kemi dhënë edhe si garanci. Madje Parlamenti i Kosovës, në partneritet edhe me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë proces në asnjë rrethanë nuk duhet ta marrë si ndëshkim apo bllokim për shtetin e Kosovës, por si përparësi dhe ecje përpara”, deklaroi Thaçi.

Ndaj qëndrimit të zëvendëskryeministrit në mbledhje, ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili  ka thënë se këto deklarata kërcënuese flasin për planin e Qeverisë për t’i shtypur me dhunë protestat paqësore.

“Me deklaratën e tij kërcënuese, zv.kryeministri Thaçi tregoi planin e Qeverisë për të shtypur protestat paqësore. Paralajmërimi i vetëm për protesta të dhunshme po vjen nga Qeveria. Kjo pra flet për planet e Qeverisë dhe aspak për planet e subjekteve opozitare”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

VV përsërit qëndrimin se protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe po organizohet për realizimin e disa kërkesave, siç janë:
– Të shfuqizohen vendimet e ZRREE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike,
– Trepça të shpallet me ligj ‘ndërmarrje publike me status të veçantë’,
– Të shkarkohet Hajredin Kuçi,
– Të dorëhiqet Enver Hasani,
– Të shkarkohet stafi menaxherial i RTK-së, dhe
– Të ndalet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të distancohet nga deklarata të tilla, si ajo e zv.kryeministrit Thaçi, që kanë për qëllim shtypjen me dhunë të protestave paqësore. Në vend që Qeveria e Kosovës t’i kërcënojë qytetarët me dhunë, ajo duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’iu garantojë siguri gjatë protestave”, përfundon deklarata e VV.

Top Channel