Prishtinë, arrestimi i Aliut “përplas” Komunën me policinë

11/04/2015 00:00

Komuna e Prishtinës, në në deklaratë për shtyp të shpërndarë lidhur me arrestimin e drejtorit të Urbanistikës, Liburn Aliu, shpreh qëndrimin se sulmet ndaj tij vijojnë prej kohësh pasi ai është bërë pengesë për grupet kriminale, duke luftuar që prej marrjes së detyrës kaosin e ndërtimeve në kryeqytet.

“Nga ana jonë janë denoncuar dhjetëra raste kriminale, janë nisur dhjetëra raste disiplinore e deri te pezullimet dhe revokimet e lejeve të dhëna jashtë çdo norme ligjore. Megjithatë, Prokuroria e Shtetit ende nuk e ka dhënë as masën më të lehtë për shkelësit e ligjit në Komunën e Prishtinës”, thuhet në deklaratën e Komunës.

Ky institucion shpjegon se Aliu është sulmuar në të gjitha mënyrat në përpjekje që të hapin proçedime penale ndaj tij.

“Në Kuvend është shpifur në të gjitha mënyrat kundër drejtorit të Urbanistikës. Sulme të tilla arritën kulmin dje me akuzat e Muhamet Selmanajt, këshilltar i PDK-së, i cili në tre mbledhje me radhë ka provokuar në të gjitha mënyrat për iniciuar ndonjë incident. Fatkeqësisht, drejtori Aliu ishte i inkuadruar në një incident që erdhi si pasojë e tensionimit të situatës në sallën e Kuvendit dhe shpifjeve të Selmanajt. Për këtë, Komuna e Prishtinës shpreh keqardhje”, vijon njoftimi.

Komuna insiston duke thënë se, mbi incidentin nuk është dhënë asnjë sqarim dhe e quan arbitrar masën prej 48 orësh paraburgim për Aliun.

“Përderisa drejtori Liburn Aliu qe i gatshëm të përgjigjej për veprimet e ndërmarra, mbajtja në ndalim 48 orë është arbitrare, e panevojshme dhe e papranueshme nga prokuroria, e cila ende nuk ka vepruar rreth qindra rasteve të rënda të ndodhura në Komunën tonë, shumica prej të cilave të denoncuara nga vetë drejtori Aliu”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, në një njoftim për shtyp të shpërndarë të shtunën, Policia e Kosovës e klasifikon rastin si “lëndim të lehtë trupor”, duke dhënë versionin se këshilltari nga radhët e PDK-së është sulmuar fizikisht nga i dyshuari, drejtor i Urbanistikës në Komunën e Prishtinës, i cili i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, gjë për të cilën, sipas policisë, atij i është dhënë ndihma e parë.

Top Channel