Policia e Kosovës është duke hetuar kontratat, që “Pallati i Rinisë” në Prishtinë ka nënshkruar me bizneset e mëdha, të cilat janë me qira në këtë objekt.
Këtë e kanë bërë të ditur burime të policisë në kushte anonimiteti. Duke mos dhënë më tepër detaje, burimet thonë se hetimet kanë nisur pas akuzave në publik të njërit prej biznesmenëve, i cili ka treguar sesi drejtuesit e Pallatit kanë lejuar, që për objekte të ndryshme të paguhet qira mbi qira.
Çfarë do të thotë se, në këtë rast, një biznesmen ka mundur t’i paguajë Pallatit një shumë për një hapësirë të caktuar, por në të njëjtën kohë, ai t’ia japë me qira dikujt tjetër këtë hapësirë për shfrytëzim.
Po kështu, mësohet se gjatë ditës janë marrë në pyetje ish-drejtues menaxherialë të Pallatit dhe drejtuesit aktualë, si dhe pronarë të lokaleve.
“Pallati i Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë është pronë publike, e cila menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Përveç sallave të sportit, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme, Pallati ka në pronësi edhe dhjetëra mjedise, të cilat janë dhënë me qira për qëllime biznesi.
Top Channel