Arrestimi i Aliut, reagon VV: Policia arreston atë që lufton krimin urbanistik

10/04/2015 00:00

Menjëherë pas arrestimit nga Policia e Kosovës të drejtorit për Urbanizim, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, për shkak të një debati që ka pasur me një asambleist të PDK-së, ka reaguar edhe forca opozitare Vetëvendosje, e cila drejton Komunën e Prishtinës.

“Me këtë akt dëshmohet edhe njëherë, instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesat e politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë njeriun, i cili po lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim tradicional ky përgjatë 15 viteve të udhëheqjes nga LDK-ja të kësaj komunë. Për më tepër, arrestimi i drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve, të cilët për interesat e tyre të ngushta, personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdojë edhe më tutje në Komunën e Prishtinës”, ka theksuar në reagimin e saj Lëvizja Vetëvendosje.

Duke i bërë më pas thirrje Policisë së Kosovës, për lirimin e menjëhershëm të drejtorit Aliu, Vetëvendosja fton policinë dhe gjykatat që të hetojnë dhe arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet, të cilat sipas VV, Liburn Aliu i ka dorëzuar pranë organeve kompetente, e që lidhen drejtpërdrejt me kaosin urbanistik që po luftohet prej tij. “Luftën ndaj këtij krimi nuk mundet ta ndalë askush”, përfundon reagimi i VV.

Top Channel