Kosovë, 7-vjetori e gjen Kushtetutën përballë ndryshimeve të mëdha

09/04/2015 00:00

Shtatë vite pas miratimit, Kushtetuta e Kosovës po u nënshtrohet ndryshimeve të mëdha për shkak të gjykatës speciale, që pritet të gjykojë ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime të supozuara lufte.

Ndryshimet kushtetuese, që aktualisht po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, do të ndryshojnë thelbin e sistemit të drejtësisë në vend, duke mundësuar krijimin e një sistemi paralel të drejtësisë, ndaj sipas avokatit Tomë Gashi ndryshimet do të ndikojnë në thelb të Kushtetutës.

“Me themelimin e Gjykatës Speciale shumë çështje ndryshojnë, por ndryshon edhe vet dispozita e cila  garanton sovranitetin e Republikës së Kosovës, e cila garanton sistemin juridik si të pavarur, e cila garanton sistemin kushtetues dhe sistemin prokurorial dhe funksionimin e Policisë së Kosovës në tërë territorin”- thotë Gashi.

Gashi vlerëson se ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës do të nxjerrin një Kushtetutë të re që nuk do t’i ngjajë fare asaj që është miratuar shtatë vite më parë.

“Të gjitha dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës faktikisht do të pësojnë një ndryshim radikal, saqë në pjesën e gjyqësorit, të prokurorisë dhe të sigurisë ku ka të bëjë edhe me Policinë e Kosovës, nëse lexohen ato ndryshime që po pretendohet që sa më parë të hynë në fuqi, dhe nëse krahasohen me Kushtetutën e tanishme, del që nuk do ti ngjajnë njëra tjetrës dhe do të jenë krejtësisht në kundërshtim dhe themi kundër kushtetutës së Kosovës e cila është miratuar 7 vite më parë” – shton ai.

Ndryshimet kushtetuese që do të bëhen, sipas Gashit, do të cenojnë edhe të drejtat e Presidentit të Kosovës, pasi me ndryshimet e reja, të dënuarit nga Gjykata Speciale nuk mund të amnistohen në asnjë kohë nga ana e institucionit të presidentit.

Po ashtu me ndryshimet e reja Kosova do të ketë edhe një Avokat të dytë të Popullit, i cili do të jetë ndërkombëtar dhe do të shërbejë vetëm për të dënuarit e Gjykatës Speciale.

Ndryshimet kushtetuese janë kritikuar prej kohësh edhe nga ekspertët kushtetues të cilët vlerësojnë se po krijojnë sisteme të reja të drejtësisë në vend.

“Në këtë kuptim këto dilema shpeshherë kanë sjellë paqartësi, por edhe probleme në funksionimin real të misioneve ndërkombëtare. Një gjë e tillë po vërehet edhe me amendamentimet që po bëhet për Gjykatën Speciale për faktin që këto amendamente kushtetuese në njëfarë forme, pavarësisht që gjykata do të jetë një mekanizëm i brendshëm i Republikës së Kosovës, do e fragmentoj në një masë të madhe sistemin e drejtësisë dhe do e ndajë atë në baza funksionale pra në dy kahe funksionale pothuajse të pavarura të funksionimit”- thotë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike.

Kushtetuta e Kosovës që nga 9 prilli i vitit 2008 kur është miratuar, ka pësuar disa herë ndryshime, njëherë për shkak të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pastaj për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë si dhe për vazhdimin e misionit të EULEX-it.

Top Channel