Kosovë, verifikimi i zyrtarëve të lartë mbetet në udhëkryq

06/04/2015 00:00

Procesi i verifikimit të zyrtarëve të lartë në Kosovë, të cilët kanë qasje në dokumente të klasifikuara duket se ka mbetur në udhëkryq. Kjo pasi këtë kompetencë, përkatësisht të departamentit që bën verifikimin e sigurisë së zyrtarëve të lartë, shefi i Agjencisë kosovare të Inteligjencës Agron Selimaj ka kërkuar që të nxirret nga AKI-ja dhe të funksionojë në kuadër të qeverisë.

Njohësit e këtij procesi e kundërshtojnë idenë që ky departament të jetë pjesë e qeverisë, për shkak të ndikimeve politike, por e mbështesin krijimin e një institucioni të pavarur. Vlerësohet se deri tani është kryer punë e madhe në verifikim, por njëkohësisht për shkak të këtij procesi janë acaruar raportet mes institucioneve të sigurisë që në fakt kanë detyrim bashkëpunimin mes tyre.
 
“E kemi pas ngritur thënien “po gardianin kush e ruan”. Pra, ne e kemi ngritur se kush i verifikon ata që na verifikon, normalisht është një problem kompleks, i cili mund të zgjidhet me kurajë të mirë. Problemi i sajuar mes AKI-së dhe policisë ka qenë evident. Nuk dua të them që ka qenë problem i qëndrueshëm,  në mes çështjes se AKI-ja po hakmerret ndaj policisë me anë të ish-pjesëtarëve të policisë që tani janë në AKI, duhet që aktorët të gjithë së bashku ta krijojnë një institucion të besueshëm, i cili nuk peshon thjeshtë vetëm në një institucion as si përgjegjësi as si barrë, por duhet të krijohej një institucion të besueshëm”, shprehet  Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas ligjeve aktuale, AKI-ja është autoriteti verifikues që ka përgjegjësi për të zhvilluar procedura të verifikimit të sigurisë për të gjitha institucionet publike dhe kontraktuesve të tyre. Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, departamenti i verifikimit duhet të largohet me një ligj të veçantë nga AKI-ja dhe të shndërrohet në një institucion të pavarur kombëtar, larg zyrës së kryeministrit, por duke i raportuar Kuvendit të Kosovës.

“Sfida kryesore është fakti se të gjitha këto institucione, AKI-ja, policia, FSK-ja, janë në mënyrë horizontale ndaj njëra-tjetrës, pra nuk është se njëri institucion është mbi tjetrin. Në rastin e departamentit të verifikimit AKI-së i është dashur të verifikojë edhe policë, edhe zyrtarë të lartë të policisë, edhe FSK-në edhe zyrtarë të lartë të FSK-së dhe duke pasur fuqinë e verifikimit AKI-ja, edhe të policisë edhe të FSK-së, me të cilët duhet të punojë,  24 orë së bashku e ka vendosur në situata më shumë edhe të personalizuara”, tha Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë.
 
Procesi i verifikimit, mes të tjerash  parashikon lëshimin e lejes së sigurisë për personin, i cili e kalon verifikimin.  Por nëse një personi nuk i është lëshuar atëherë ai ka pasur dy mundësi, largimin nga puna ose zhvendosjen në një pozitë tjetër pa qasje në informata të klasifikuara.
 
Në një komunikim përmes telefonit këshilltari për siguri i Kryeministrit Mustafa, Edon Miftari, tha se qeveria është duke e shqyrtuar këtë mundësi me partnerët ndërkombëtar për të parë praktikat europiane. Në këtë drejtim ai tha se është angazhuar edhe zyra ligjore e zyrës së Kryeministrit në mënyrë që ky proces në të ardhmen të funksionojë në mënyrën e duhur.

Top Channel