PTK, investime dhe menaxhim i ri. Dështimi i privatëzimit dëmtoi kompaninë

03/04/2015 00:00

Në konferencën e parë për shtyp pas emërimit, drejtori menaxhues i Postë Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa deklaroi se, pavarësisht trendit global të rënies së telefonive të lëvizshme, kompania publike në Kosovë vazhdon të gjenerojë të ardhura të mëdha.

Por, krahasuar me të dhënat e viteve të kaluara, ai tha se ka pasur një rënie në tri vitet e fundit dhe për këtë, Mustafa fajësoi procesin e dështuar të privatizimit të kompanisë, si dhe ngrirjen e investimeve në Postë Telekom nga ana e Qeverisë, si aksionere kryesore.

“Kur ia shtojmë këtyre dy proceseve të dështuara të privatizimit, që kanë efekt të drejtpërdrejtë në vet operimin e gjithëmbarshëm të kompanisë, edhe vendimet e mëhershme në ndalimin e investimeve të përgjithshme, që janë dashur të bëhen me kohë, vendim i cili ka ardhur nga aksionari, në atë kohë me të drejtë për shkak të proceseve të privatizimit, duke mos paragjykuar dështimin e procesit të privatizimit, atëherë arsyet se përse PTK-ja është në këtë gjendje si sot janë mëse evidente dhe mëse të kapshme apo të arsyeshme”, tha Agron Mustafa, drejtor menaxhues i PTK.

Nga ana tjetër, Mustafa vlerëson se Autoriteti Rregullativ nuk duhet të hapë tender për licencim të ndonjë operatori të ri në Kosovë.

“Sa i përket një operatori tjetër të mundshëm, e kam të vështirë të them sot diçka, për shkak se unë mendoj që autoritetet qeveritare të këtij vendi duhet të vijnë me një propozim, apo me një vendim nëse duhet të ketë një operator të tretë apo jo”, tha Agron Mustafa.

Mustafa ka paralajmëruar edhe ndryshime në qasjen e menaxhimit të Postë Telekomit, pasi sipas tij punonjësit duhet ta dinë se nuk kanë më monopol në tregun e telefonisë në Kosovë.

Drejtori i ri menaxhues i Postë Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa ka paralajmëruar investime dhe produkte të reja nga operatori publik i telefonisë së lëvizshme në Kosovë, “Vala”. Ai tha se janë në përfundim të kompletimit të projektit për rrjetin më të shpejtë të internetit në telefonat celularë.

“Edhe pse kemi filluar me vonesë implementimin e projektit për 3G dhe 4G, ky projekt është në përfundim e sipër. Lirshëm mund të them se, nga fundi i këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm, nga informatat që kam prej menaxherëve të projektit, ky projekt duhet të përfundojë”, tha Agron Mustafa, drejtor menaxhues i PTK.

Drejtori i ri i PTK-së prezantoi edhe raportin e fundit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili e nxjerr operatorin publik si më të suksesshmin në parametrat matës të tregut.

Top Channel