Dita botërore e autizmit; Shqipëria, vendi i problemeve të mëdha

02/04/2015 00:00

Autizmi, shkaqet e të cilit ende nuk njihen mirë shkencërisht, e ka rritur numrin e të prekurve nga viti në vit.

Erjola Hoxhallari, e ëma e Klaudios 6-vjeçar, udhëton 140 km çdo 6 javë për të ardhur në Tiranë e për t’i bërë terapinë në një qendër djalit të saj.

Nga fshati Alarup i Pogradecit ajo duhet të vijë në kryeqytet, pasi nuk gjen dot një shërbim të tillë në zonën e jug-lindjes.

“E kemi shumë të vështirë për të ardhur këtu. Rruga është e gjatë dhe me shpenzime, ndërkohë që lë një fëmijë tjetër vetëm në shtëpi. Këtë ndihmë do të donim ne nënat, të kishim një qendër të tillë në çdo qytet. Kam folur edhe në rrjetet sociale me ministrat dhe kryeministrin, por nuk kam marrë asnjë përgjigje”, thotë Hoxhallari.

Në Ditën botërore të autizmit ajo i bën thirrje strukturave shtetërore për këta fëmijë, sidomos ata të moshës 6-vjeçare, për të cilët shteti sipas saj nuk ofron asgjë.

“Pas një muaji djali im mbush 6 vjeç. Problemi im është se çfarë do të bëhet me djalin tim pas kësaj moshe. As në Tiranë nuk ka qendra që marrin fëmijë mbi 6 vjeç dhe ky fëmijë do detyrohet të rrijë i mbyllur”, vijon ajo.

Migena Kika, drejtuese e qendrës, thotë se kur këta fëmijë të rriten vështirësitë do të shtohen për shkak të mungesës së instituzioneve.

“Është një numër i madh fëmijësh të regjistruar kohët e fundit me këtë çrregullim. Kur të bëhen adoleshentë këta fëmijë, problemi do të jetë se ku do të shkojnë. Nuk ka jo vetëm terapi, por as institucione apo një mënyrë për individët me autizëm për të bërë një jetë individuale të pavarur”, thotë Kika.

Ndërsa për psikologen Denada Toçe, 2 prilli e gjen autizmin në Shqipëri me probleme të tjera. “Ministria e Arsimit para ca kohësh anunçoi faktin se do ketë mësues ndihmës. Ligji ka kohë që ka dalë por s’ka gjetur zbatim. Ndërkohë që kemi prindër që marrin iniciativën të çojnë fëmijët në shkollë, ndërsa drejtorët e shkollave thonë se nuk i pranojnë ata sepse mësuesit nuk i përballojnë dot”, thotë Toçe.

Në Shqipëri statistikat e sakta të të prekurve me autizëm mungojnë, megjithatë profesionistët e fushës mendojnë se tashmë edhe vendi ynë nuk është larg një prevalence të tillë.

Top Channel