Bojkoti i “Listës Serbe”, edhe serbët kërkojnë rikthimin nëpër institucione

31/03/2015 00:00

Zyrtarë serbë, të cilët punojnë në institucionet e Kosovës, po u bëjnë thirrje përfaqësuesve të “Listës Serbe” të ndërpresin bojkotin dhe të kthehen në institucionet kosovare.

Darko Dimitrijeviç, kryesues i Këshillit konsultativ për Komunitete, pranë Zyrës së Presidentes Atifete Jahjaga, vlerëson se “Lista Serbe” nuk duhet të paraqesë kushte, por të kthehen në institucione dhe të mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës.

“Ngrirja e punës në Qeveri e Kuvend nga serbët është ide e keqe. Ka procese, që nuk mund të presin dhe nuk po realizohen, për shkak të ikjes së tyre. ‘Lista Serbe’ duhet t’i kthehet sa më shpejt punës nëpër institucione dhe të kryejë detyrat e dhëna nga populli serb në zgjedhje. Edhe për votimin e Gjykatës Speciale duhet të kthehen medoemos”, tha Darko Dimitrijeviç, kryesues i Këshillit konsultativ për Komunitete.

Pas mbledhjes së Këshillit konsultativ, Dimitrijeviç tha se lideri i “Listës Serbe”, Aleksandër Jabllanoviç nuk duhet të kërkojë nga zyra, që të lejohen qytetarët serbë të shkojnë në Gjakovë, por duhet të niset ai i pari, bashkë me qytetarët.

“Që në fillim është bërë një gabim, pasi ish-ministri Aleksandër Jabllanoviç, në vend të deklaratave të dhëna, do të duhej të ishte në krye të kolonës së serbëve, që donin të vizitonin Gjakovën. Mendoj se atë, si ministër nuk e kishte ndalur askush. Situata, edhe tani me kërkesat që ka ‘Lista Serbe’, është krejt e paqartë”, tha Darko Dimitrijeviç, kryesues i Këshillit konsultativ për Komunitete.

Darko Dimitrijeviç vlerëson se vazhdimi i bojkotit të “Listës Serbe” nuk shkon në asnjë rast në dëm të shqiptarëve, por vetëm në dëm të serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij kanë shpresuar se “Lista Serbe” do të punojë për zhvillimin e lokaliteteve të tyre në Kosovë.

Zyrtarët e “Listës Serbe” kanë paralajmëruar mundësinë e rikthimit në institucionet kosovare, por ende nuk kanë saktësuar kohën se kur do të kthehen.

Top Channel