Protesta e veteranëve të UÇK-së; javën tjetër publikimi i listave

30/03/2015 00:00

Fundi i javës së ardhshme është afati për publikimin e listave përfundimtare të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Ndërsa përfitimet të cilat u takojnë kategorive të dala nga lufta do të fillojnë të jepen nga data 1 janar e vitit 2016.

Kjo është është marrëveshja e cila u arrit mes përfaqësusesve të
ish-luftëtarëve dhe komisionit qeveritar për verifikimin e listave të
kategorive të dala nga lufta.

Ajo u bë e ditur nga Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK-së, i cili u ftua në takim bashkë me përfaqësues të të gjitha zonave operative të UÇK-së.

“Ata kërkuan nga ne, që së paku deri në fund të javës tjetër të presim. Megjithëse deklaruan që listat janë të gatshme, ka mundësi që këtë javë të përfundojnë. Na garantuan në një farë mënyre se fondi që është ndarë për këtë kategori do të fillojë të zbatohet që nga janari. Diskutuam se në rast se nuk do të publikohen deri në fund të javës tjetër, ne prapë do të jemi në demonstrata dhe nuk do të marrim përgjegjësi, por ata pranuan që do të jenë edhe vetë pjesë e kësaj demonstrate”, tha Qeriqi.

Takimi u mbajt pas më shumë se një orë protestë, e cila u shoqërua me përleshje mes policisë dhe ish-anëtarëve të UÇK-së, të cilët fillimisht kaluan rrethinat e oborrit të Kuvendit dhe të qeverisë, rrëzuan derën e hyrjes kryesore dhe u futën brenda oborrit të Parlamentit.

Protestuesit u ndaluan nga një kordon i njësisë speciale të policisë, të cilët gjatë gjithë kohës ishin të pozicionuar brenda oborrit të godinës së qeverisë. Ish-ushtarët e UÇK-së akuzuan udhëheqësit e institucioneve se për 16 vjet kanë lënë në harresë shtresën më të rëndësishme të shoqërisë në vend.

“Kanë futur njerëz me para, kanë kepërdorur gjithçka. Të dalin të na thonë se do t’i heqin këta njerëz, që janë të afërmit dhe miqtë e tyre, dhe ne do të tërhiqemi. Unë jam veteran i luftës. Kam bartur armatime nga Shqipëria si gomar dhe këta ende na keqtrajtojnë”, tha Qefser Abdullahu.

“Ne kemi 16 vjet që sorollatemi rrugëve. Unë sot i kam kërkuar 12 euro një shoku për të ardhur në Prishtinë dhe 3 euro për t’u kthyer në shtëpi”, tha ish-luftëtari tjetër Nuhi Berisha.

Protesta kundër zvarritjes së listave përfundimtare të kategorive të dala nga lufta përfundoi pas më shumë se 2 orë, ndërkohë që u paralajmërua protestë tjetër në rast se nuk mbahen këto premtime nga ana e qeverisë. Ish-ushtarët e UÇK-së protestuan edhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale. 

Top Channel