Këshilli i Mandateve shtyn për të martën heqjen ose jo të imunitetit të Frrokut

29/03/2015 00:00

Mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të rimblidhet të martën në mesditë për çështjen “Frroku”.

Vendimi u mor gjatë kësaj mbledhje, e thirrur  për shqyrtimin e një autorizimi të ri, kërkuar nga  Prokuroria për arrestimin e deputetit Mark Frroku, i dyshuar për një vrasje në Belgjikë në 1999.

Mbledhja që zgjati vetëm pak minuta pa praninë e medias dhe e drejtuar këtë herë nga Ilir Meta, u shty pas kërkesës së avokatëve të Frrokut, Genc Gjokutaj dhe Saimir Vishaj.

“Mbledhja drejtohej nga zoti Meta, i cili pranoi kërkesën e mbrojtjes për të marrë pjesë deputeti Frroku ditën e martë. Mbledhja e ardhshme do të zhvillohet ditën e martë në orën 12:00 në prani të deputetit”, tha avokati Saimir Vishaj.

“Të gjitha palët ishin dakord për të bërë të mundur prezencën e deputetit në seancën e dëgjimit në Komisionin e Mandateve”, u shpreh Genc Gjokutaj.

Në kushtet kur deputeti i Shkodrës gjendet në “arrest shtëpie” për shkak të çështjes tjetër, të njohur tashmë si çështja “Doshi”, Kuvendi pritet t’i kërkojë Prokurorisë lejimin e tij për të qenë i pranishëm në ambientet e kryesisë së Kuvendit të martën.

Belgjika kërkon arrestimin e deputetit Mark Frroku, i dënuar në këtë shtet me 10 vjet burg për vrasje.

Kërkesa zyrtare për arrestimin e deputetit Frroku mbërriti mbrëmjen e së premtes pranë Interpol Tirana, që i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojë urdhër-arrestin.

Nëse edhe këtë herë do të jepet aprovimi, atëherë ndaj Mark Frrokut mund të nisin procedurat për ekstradimin në shtetin belg, ku duhet të vuajë dënimin me burg për akuzën e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, më 5 Mars të vitit 1999.

Top Channel