OSHEE nis verifikimin e kontratave për “profesionet e lira”

28/03/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e ka fokusuar aksionin
kombëtar për arkëtimin e faturave dhe uljen e debive, edhe tek bizneset e
konsideruara si “profesione të lira”, që zënë një pjesë të
konsiderueshme të portofolit të bilancit financiar dhe energjetik.

OSHEE njoftoi këtë të shtunë se, një pjesë e mirë e “profesioneve të lira” e ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente të marra me qira, pa kontrata dhe pa kategorizimin e duhur në bazë të stuatusit të aktivitetit që zhvillojnë, por edhe të mënyrës së tarifimit të energjisë.

Nga analizat e kryera deri tani, Departamenti i Shitjeve dhe Arkëtimeve në OSHEE ka evidentuar 10849 subjekte aktive të regjistruara në QKR, të cilët ushtrojnë aktivitet në fushën e shërbimit dhe konsulencës, në bazë të ligjeve në fuqi për profesionet e lira.

Ndaj këto ditë, sikurse njofton OSHEE, ka nisur një aksion për verifikimin e kontratave, bazuar mbi të dhënat e siguruara nga QKR. Fokusi do të jetë Tirana, ku ushtrojnë aktivitet rreth 60% e biznesve të kategorisë “profesione të lira”.

Gjithashtu, OSHEE ka nisur kontaktet me organizatat që përfaqësojnë këtë sektor, për të arritur një bashkëpunim dhe rezultat të frytshëm, ndërkohë që i ka bërë thirrje publike kësaj kategorie biznesi “të marrë e masat e duhura në respekt të ligjit”.

Top Channel