RTK largon nga puna dy kritikuesit e stafit menaxherial

26/03/2015 00:00

Kritikuesit e stafit menaxherial aktual të televizionit publik në Kosovë janë larguar nga puna në RTK.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së ka marrë vendim për shkëputje të marrëdhënies së punës së kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Televizionit, Fadil Hoxha, dhe zëvendësit të tij, redaktorin e lajmeve Arsim Halili.

Kjo, me arsyetimin se Hoxha dhe Halili kanë dëmtuar imazhin e televizionit, duke kritikuar vazhdimisht stafin menaxherial.

“I punësuari Fadil Hoxha ka dalë publikisht, pa autorizim, duke tentuar të krijojë përshtypje negative për RTK-në dhe duke dëmtuar imazhin e RTK-së, që paraqet shkelje të rëndë disiplinore. I punësuari Arsim Halili ka shkelur rregulloren për përgjegjësinë materiale dhe disiplinore, duke mos përfillur kërkesat me shkrim të eprorit të drejtpërdrejtë, për të qenë në orarin e punës, në kohën kur kishte përgjegjësi editoriale për edicionet e lajmeve”, thuhet në vendimin e stafit menaxherial.

Vendimi erdhi ditën që Kuvendi i Kosovës ka vënë në rend të ditës diskutimin parlamentar të gjendjes së RTK-së, me kërkesë të Sindikatës së Pavarur.

Top Channel