Mogherini viziton Kosovën, optimiste për votimin e Gjykatës Speciale

26/03/2015 00:00

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini vizitoi Prishtinën, ku u takua me krerë të lartë të shtetit të Kosovës. Pas takimit me kryeministrin Isa Mustafa, në konferencën e përbashkët për media, Mogherini është shprehur optimiste se Parlamenti do ta votojë Gjykatën Speciale.

“Së pari, besoj që Parlamenti do të ketë 2/3-tat e votave në votimin e ardhshëm, për shkak se kjo është në linjë me zotimet e vitit të kaluar. Mendoj që do të jetë edhe mënyra e duhur për të ecur përpara. Kështu që, nuk dua të spekuloj nëse kjo do të ndodhë apo jo. Më mirë do të punoja që kjo të ndodhë”, tha Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së.

Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Mustafa ka treguar se ka zhvilluar një bisedë telefonike, me temë çështjen e migrimit, me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Unë kam qenë nismëtar, që të bisedoj me Vuçiç në procesin e migrimeve të mëdha, sepse kam pasur nevojë të kërkoj nga ata, që të marrin masa për mbylljen e korridorit të migrimeve. Nuk kam arritur atëherë me qenë i pranishëm, sepse ka qenë dy ditë para vajtjes në Bruksel. Atje pastaj e kemi biseduar dhe tani vetë Vuçiç e ka ndërmarrë nismën për nevojën që të bisedojmë. Kemi folur mbrëmë në telefon, kemi biseduar për disa çështje. Jemi marrë vesh, që për çështje, të cilat mund të jenë të nevojës shumë të shpejtë, që mund të na dalin në terren, të mund të komunikojmë drejtpërdrejt, në mënyrë që çfarë mund ta bëjmë, e realizojmë si zgjidhje, ndërsa zgjidhjet e tjera i gjejmë në Bruksel”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së tha se, ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe BE-në, pasi në verë pritet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Më lejoni të them se, ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe Bashkimin Evropian. Mendoj se shumë shpejt do të jemi të gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, rreth muajve verës. Nuk është vetëm një akt burokratik, por kjo na çon drejt përmirësimit të mundësive për bashkëpunim, për të përmirësuar tregtinë, e po ashtu edhe dialogun politik”, tha Federica Mogherini.

Mogherini ka konfirmuar vullnetin e mirë politik të BE-së sa i përket liberalizimit të vizave, duke shtuar se janë duke pritur raportin e vlerësimit teknik. Federica Mogherini u shpreh me tone pozitive për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve të dala nga ky dialog, duke përmendur si arritje fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësi, të nënshkruar më 9 shkurt në Bruksel.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme ka zhvilluar takime të ndara edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Listën Srbska”.

Top Channel