Konferenca e ministrave të Jashtëm, KE: 1 miliard euro për Ballkanin

25/03/2015 00:00

Komisioneri Europian i Zgjerimit, Johannes Hahn premtoi mbështetje financiare me vlerë 1 miliardë euro për projektet infrastrukturore dhe hekurudhore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai mori pjesë në takimin e radhës të ministrave të Jashtëm dhe Infrastrukturës që u mbajt këtë të mërkurë në Prishitnë. Komisioneri Hahn theksoi se kjo konferencë shënon marrëveveshje konkrete infrastrukturore që lidhin Ballkanin me Europën.

“Ne po flasim për 1 miliardë euro në një të ardhme të afërt, shumë kjo që do të duhet të planifikohet në formë huashë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Kështu që kjo nuk është një tjetër konferencë politike, por një konferencë për të gjetur një marrëveshje për funksionimin e sistemit rajonal të transportit. Fazat e ardhshme janë: finalizimi në detaj i kësaj lidhjeje, përcaktimi i prioriteteve dhe të shohim se si të financojmë projektet”, deklaroi Hahn.

Bëhet fjalë për projekte që synojnë riparimin e rrugëve, hekurudhave, aeroporteve dhe porteve ekzistuese, si dhe ngritja e të rejave. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi bëri të ditur se ministrat prezantuan projekte, ndërsa theksoi se mesazhi kryesor i kësaj konference ishte se, Kosova është vend që siguron stabilitet në rajon.

“Vlerësoj se mbështetja dhe zotimi i Komisionit Evropian është një inkurajim i ri për vendet tona, që të punojmë së bashku për europianizimin e plotë të rajonit, në mënyrë që të integrohemi gradualisht në familjen evropiane”, deklaroi Thaçi.

Formati i këtij takimi ka qenë pa simbole shtetërore dhe konferenca është mbajtur në mjediset e një hoteli në qendër të qytetit. Punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura për gazetarët.

Për herë të parë në një takim të tillë në Kosovë mori pjesë ish-kryeministri i Serbisë, aktualisht ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, pjesëmarrje të cilën Thaçi e vlerësoi si një hap përpara.

“Vlerësoj se pjesëmarrja e sotme e ministrit Daçiç është një hap përpara në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sebrisë dhe në të njëjtën kohë një hap përpara në sjelljen tonë të lidershipit rajonal, si një sjellje europiane”, tha Thaçi.

Daçiç kritikon Ramën: Kujdes me deklaratat për bashkim

Ndërkohë, burime zyrtare në kushte anonimati thanë për Top Channel se gjatë takimit, Daçiç ngriti si shqetësim qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbledhjes së dy qeverive në Tiranë, përsa i përket bashkimit kombëtar në kuadër të Europës së bashkuar.

Sipas burimeve, Daçiç kërkoi kujdes nga “fenomeni i dronit”, sepse spas tij nuk arrihet qëllimi që duam, si dhe deklaratat për bashkim kombëtar nuk i shërbejnë procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

Sipas të njëjtave burime, ai e krahasoi Kosovën me Republikën Serbe në Bosnje, duke thënë se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është sikur Serbia të bënte të njëjtën gjë me Republikën Serbe të Bosnjes.

I pyetur rreth këtyre deklaratave, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha për Top Channel pas konferencës se kishte sqaruar për të gjithë se Shqipëria është e gatshme që këtë ka pratkikë të bashkëpunimit që ka nisur me Kosovën ta bëjë edhe me vendet e tjera fqinje.

“Kjo nuk është një shpikje historike, ky është një realitet. Përspektiva europiane ka sjellë paqen në rajonin tonë dhe kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i drejtpërdrejtë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bashkimin Europian. Kjo nuk është një qasje që mund të shkaktojë xhelozi se të gjitha kombet që janë pjesë përbërëse e NE-së janë të bashkuara në BE”, deklaroi Bushati.

Sa i takon krahasimit me Republikën Serbe të BeH, Bushati shtoi: “Kjo ishte qasja, por është një qasje që unë e kam dëgjuar edhe nga të tjerët, të cilët ende nuk po pajtohen me realitetet e reja në rajon”.

Takimi i 12 ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor është vazhdimësi e procesit të Berlinit të nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ministrat kanë rënë dakord që takimi i radhës të mbahet në Ohër të Maqedonisë. Ky proces pritet të kulmojë në Austri, në samitin e Vjenës, kur qeveritë e gjashtë vendeve pritet të dorëzojnë projektet konkrete zhvillimore. 

Top Channel