Dekriminalizimi i vështirë i politikës. PS: Të përfshihet edhe Basha; PD: PS të mos e zvarrisë

25/03/2015 00:00

Një ditë përpara mbledhjes së komisionit për marrveshjen e 24 Dhjetorit, maxhoranca dhe opozita nuk duket se kanë të njëjtat piketa për çështjen e dekriminalizimit.

Mbledhja parashikon dorëzimin nga ana e demokratëve të një amendamenti kushtetues, që ndërpret mandatet e deputetëve me rekorde kriminale dhe ndalon kandidimin e çdo personi me të tilla rrekorde. Maxhoranca beson se duhen hedhur disa hapa të tjerë.

“Nuk i kam parë propozimet, megjithatë nesër apo në ditët në vijim do të kemi një mbledhje të komisionit të posaçëm për implementim e çështjeve të adresuar në rezolutën e Parlamentit të dhjetorit të kaluar dhe duhet që domosdoshmërisht t’i diskutojmë me njëri-tjetrin. Ka një proces të nisur. Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni kemi bërë një axhendë që fillon me hapin e parë, që është asistenca nga Komisioni i Venecias, nga BE dhe propozimi im për përfshirjen e SHBA në këtë proces, me një konsulencë të domosdoshme, me një ekspertizë efikase. Të mos bëjmë show mediatik me një apo dy propozime, por të bëjmë një proces të rregullt ligjor që fillon në radhë të parë nga procesi i vlerësimit, më pas procesi i konsultimit dhe përfundon me fazën e propozimeve”, deklaroi deputeti Taulant Balla.

“Uroj që kjo e sotmja e zotit Balla të mos jetë pjesë e taktikave të deritanishme për zvarritjen e procesit. Një gjë është e sigurtë, ne do të ecim me hap të vendosur dhe nuk mund të ketë zgjedhje të 21 qershorit pa përmbylljen e procesit të dekriminalizimit. Nëse zoti Balla ka vullnet duhet të na bashkohet pa asnjë hezitim. Ne jemi të gatshëm të marrim të gjithë eskpertizën, por jemi të bazuar në eksperiencën më të mirë europiane dhe ndërkombëtare. E për rrjedhojë, çdo përpjekje tjetër si ajo e derimësotme bashkë me shtyjen e sotme, nuk ka për ta ndaluar këtë proces edhe sikur e gjithë kjo të jetë shenjë e dukshme e frikës së e zotit Rama për të bërë dekriminalizimin”, reagoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Replikat në distamcë mes të dyve parashikojnë një mbledhje të vështirë dhe me debate. Edhe socialistët kanë propozimin e tyre për dekriminalizimin.

“Nuk është vetëm adresimi i personave me rekorde kriminale. Unë mendoj që pjesë e këtij procesi duhet të jetë dhe adresimi i personave të hetuar por të pa gjykuar, që është një problem tjetër në politikën shqiptare. Kemi rastin e Lulzim Bashës apo raste të tjera në politikë që janë persona të hetuar, të gjetur fajtorë nga prokuroria, por për shkak të raporteve mjekësore apo të lejeve për jashtë shtetit i janë shmangur drejtësisë dhe nuk janë gjykuar”, shtoi Balla.

Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS, marrëveshja e dhjetorit mes opozitës dhe mazhoarancës, për çështjen e dekriminalizimit, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, por do një dakordësi.

Top Channel