Raporti i DASH: Kosova, vend tranzit i narkotikëve

19/03/2015 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Kosova mbetet vend tranzit për kalimin e llojeve të ndryshme të drogës që transportohen drejt Evropës, por nuk është burim i rëndësishëm i narkotikëve të paligjshëm.

Në raportin e përvitshëm për luftën kundër narkotrafikut që iu dorëzua të mërkurën Kongresit amerikan, thuhet se Kosova bashkërendon përpjekjet e disa agjencive për luftën kundër këtyre trafiqeve dhe është duke zbatuar strategjinë kombëtare kundër drogave dhe planin veprues pesëvjeçar, që synon zvogëlimin e ofertave dhe kërkesave, bashkërendimin e brendshëm dhe atë me partnerët ndërkombëtarë.

Në raport saktësohet se, në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës kanë konfiskuar 672 kilogramë marijuanë, 21 kilogramë drogë të tipit kokainë dhe më pak se 2 kilogramë të tipit heroinë.

“Këto të dhëna dëshmojnë shtimin e konfiskimeve të marijuanës dhe kokainës nga viti 2013, sikundër edhe një rënie të konfiskimit të heroinës”, nënvizon raporti. Ndër të tjera, policia ka konfiskuar mbi 5 mijë fara kanabis dhe mbi 3 mijë e 700 bimë marijuane.

Në raport vlerësohet se, faktorët negativë që ndikojnë në luftën e Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve janë pozita e saj gjeografike bashkë me rrugët tradicionale të kontrabandës, integrimi jo i plotë i komunave veriore, ekonomia e dobët, mosnjohja nga disa vende të rajonit dhe sistemi jo-efikas i menaxhimit të kufirit.

Top Channel