Prishtinë, studentët në protestë për çmimin e transportit urban

19/03/2015 00:00

Dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës, që vijnë nga qytetet e rrafshit të Dukagjinit, kanë protestuar të enjten para Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për çmimin e lartë të biletave të autobusëve.

Studentët kërkuan uljen e çmimit të biletave, pasi sipas tyre ai aktuali është i papërballueshëm.

“I bëjmë thirrje të gjitha kompanive të autobusëve, që kanë linja në këto komuna, të tregohen më të kujdesshëm dhe t’i lirojnë biletat për studenta. Po ashtu, kërkojmë që në këtë çështje të ndërhyjnë edhe institucionet shtetërore dhe komunale të Pejës, Istogut, Deçanit, Klinës dhe Gjakovës”, tha Endrita Shabanaj, studente nga Peja.

Shabanaj tha se paguajnë dyfishin e çmimit të biletës së autobusëve, në krahasim me qytetet e tjera. Ajo bëri të ditur se i kanë paraqitur edhe me shkrim kërkesat e tyre tek organet kompetente, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“I kemi paraqitur kërkesat tona, por komunat nuk kanë ndërmarrë deri tani asgjë dhe për këtë arsye kemi protestuar, por ne nuk do të ndalemi vetëm me këtë protestë. Presin që kjo gjendje të ndreqet”, tha Endrita Shabanaj, studente nga Peja.

Studentët po ashtu kanë kërkuar edhe anulimin e marrëveshjes së fshehtë, që pretendojnë se kanë bërë kompaninë e autobusëve ndërmjet tyre, duke mos lejuar kësisoj që njëra nga kompanitë ta ulë çmimin e biletës për studentët.

Me parullat ‘Pa biletë, pa tatim’ , ‘Jo çmime monopole, jo monopol’, ‘ Jemi studentë, jo klientë’, etj., protesta e studentëve ka përfunduar e qetë.

Top Channel