Kosovë, Avokati i Popullit ndihet i bojkotuar nga Zhbogar dhe Jahjaga

17/03/2015 00:00

Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi ndjehet i bojkotuar nga krerët e institucioneve më të larta të vendit, në rastin e kushtetutshmërisë rreth emërimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Kurteshi ka dalë sërish në një konferencë për media për të denoncuar institucionet, nga të cilat ka kërkuar përgjigje zyrtare për dyshimet në emërimin e gjyqtarëve në Kushtetuese, por që nuk i janë përgjigjur Zyrës së Avokatit të Popullit.

“Zotit Zhbogar dhe Presidentes, ne u jemi drejtuar tri herë me letra të njëjta, me pyetje të njëjta, ndërsa ata ose i kanë shpërfillur plotësisht letrat e dërguara, ose kanë refuzuar në mënyrë kategorike të përgjigjen ndaj pyetjeve të shtruara, që kanë të bëjnë me çështjen e njohur tashmë. Ky refuzim apo dështim i bashkëpunimit me Avokatin e Popullit, në gjuhën ligjore, ashtu siç e parasheh ligji, konsiderohet pengim i punës së Avokatit të Popullit”, tha Sami Kurteshi, Avokat i Popullit në Kosovë.

Avokati Kurteshi u bëri thirrje sërish zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Presidentes, që t’u përgjigjen pyetjeve të parashtruara nga zyra e tij.

Në shenjë pakënaqësie për mungesën e transparencës të institucioneve në fjalë, Kurteshi ka bërë publike të gjitha komunikimet që ka pasur me Gjykatën Kushtetuese, zyrën e Bashkimit Evropian dhe me zyrën e Presidentes Atifete Jahjaga.

Top Channel