Këshilli Prokurorial, pakt mes kryeprokurorit dhe anëtarëve të kontestuar

17/03/2015 00:00

Pa kaluar 24 orë nga pezullimi i aktiviteve të Këshillit Prokurorial, nga ana e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Sylë Hoxha, dhe akuzat që ai bëri në drejtim të anëtarëve të këtij këshillit, ky organ duket se iu kthye normalitetit.

Hoxha nuk zbriti në sallën, ku mbahen mbledhjet e rregullta të Këshillit Prokurorial, por bashkë me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ftoi tre anëtarët me mandat të kontestuar nga vetë ai, në zyrën e tij.

Pas një takimi që zgjati përreth dy orë, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit tha se ndihet keq për qëndrimin e një dite më parë.

“Dje, në konferencën me gazetarët, kam përdorur një fjalor ofendues. Nëse dikush e ndien veten të prekur apo ofenduar, më vjen keq. Kjo nuk është e natyrës sime, në një situatë të tillë më është vjedhur ajo pjesë e fjalimit tim, sepse nuk është në natyrën time të ofendoj apo të lëndoj dikë”, tha Sylë Hoxha, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit, Kosovë.

Hoxha ka hequr dorë nga dërgimi i tre anëtarëve të Këshillit, me mandate të kontestuara sipas tij, në Gjykatën Kushtetuese, sikurse këta anëtarë janë pajtuar të mos e nisin procedurën e largimit të Hoxhës nga posti që mban.

Në emër të Këshillit, Hoxha ftoi Presidenten, që të vendosë sa më parë për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

Të hënën, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha vendosi të pezullojë takimet e Këshillit Prokurorial deri në dekretimin e kreyprokurorit nga ana e Presidentes.

Top Channel