Dialogu, Prishtina: Jo tema të reja pa zbatuar paktet e arritura

16/03/2015 00:00

Qeveria e Kosovës nuk preferon të hapë tema të reja në dialogun me Serbinë pa u zbatuar më parë marrëveshjet e arritura deri tani.

Valon Murtezaj, këshilltar për Punët e Jashtme i kryeministri kosovar Isa Mustafa, tha përmes telefonit për Top Channel se Prishtina zyrtare është e fokusuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe pastaj të nisë dialogun për tema të reja.

Ai tha se nuk mund të bisedohet me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe nëse Serbia nuk respekton më parë tërësisht marrëveshjet në fushën e drejtësisë.

Murtezaj tha se Kosova nuk është e interesuar që t’i ndërpres bisedimet me Serbinë, por sipas tij, qeveria e re është duke bërë një pasqyrë të qartë të marrëveshjeve të arritura deri tani në bisedime, për të parë sa janë zbatuar ato në praktikë.

Ai tha se kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian, që si ndërmjetësues i dialogut t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të mëhershme.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë temë e diskutimeve edhe gjatë vizitës që do të realizojë në fund të marsit në Prishtinë përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Top Channel