Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve, shoqëria civile kundër ndryshimeve në ligj

14/03/2015 00:00

Shoqëria civile në Kosovë kundërshton propozimin e qeverisë për të ndryshuar nenin 437 të Kodit Penal rreth deklarimit të pasurisë së personave zyrtarë.

OJQ-të kosovare vlerësojnë se propozimi i miratuar në qeverinë e Kosovës e bën të pamundur akuzimin, e aq më pak dënimin e zyrtarëve të lartë publikë të cilët nuk e deklarojnë pasurinë sipas kërkesave të ligjit për deklarimin e pasurisë.

“Amendamentimi i Kodit Penal, i propozuar nga Ministria e drejtësisë tregon për tendencën e qeverisë për ta reduktuar transparencën dhe llogaridhënien e zyrtarëve të lartë publikë. Kjo për arsye se gjyqtarët në praktikë do ta kenë shumë të vështirë për ta vërtetuar motivin për mungesën e deklarimit apo fshehjen e pasurive duke qenë se zyrtarët, në këto raste, gjithmonë do të mund të arsyetohen se këtë veprim nuk e kanë bërë më qëllim, apo që edhe kanë harruar që ta deklarojnë një pjesë të pasurive të tyre”, thuhet në arsyetimin e shoqërisë civile.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë me propozim të Ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, u miratua vendimi për ndryshimin e dy paragrafeve në nenin 437 të Kodit Penal të kosovës. Sipas Kodit Penal vepra penale konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit të caktuar.

Më këtë pikë Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se duhet të shtohet “me qëllim të fshehjes”, pra kur deklarata nuk paraqitet me qëllim të fshehjes së pasurisë. Sipas ministrit ky ndryshim bëhet me qëllim të shmangjes së aktakuzave për gabime të vogla dhe teknike.

Top Channel