Mungesa e kryeprokurorit, përplasje në Këshillin Prokurorial

13/03/2015 00:00

Vonesat në dekretimin e kryeprokurorit të shtetit të Kosovës dhe mandati i kontestuar i dy anëtarëve të Këshillit Prokurorial shkaktuan tensione në këtë këshill, duke penguar punën e tij.

Një mbledhje e thirrur të premten nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha nuk mundi të proçedonte me rendin e ditës, çka çoi në përplasje mes anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe largimin e vetë Hoxhës.

Ai tha se nuk mund të mbante mbledhjen, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit sipas tij kishte konstatuar se dy anëtarë të këshillit, Sevdije Morina dhe Jetish Maloku, ishin në konflikt interesi pasi nuk duhet të qëndrojnë në mbledhje pa iu vazhduar mandati.

“Nuk mund të vazhdojmë më tej sepse edhe ju edhe unë po shkelim ligjin. Unë për vete nuk jam i interesuar të shkel ligjin. Takimi mbyllet këtu. Për takimin e radhës do t’ju njoftojmë. Faleminderit”, deklaroi Hoxha.

Të nervozuar nga largimi i Hoxhës, anëtarët e Këshillit Prokurorial, pasi bënë një ndërprerje vendosën që ta vazhdonin mbledhjen nën drejtimin e zëvendësit të tij, Idain Smailji. Ky i fundit kërkoi që mbledhja të vazhdonte me vetëm një pikë të rendit të ditës, ajo për shkarkimin e Sylë Hoxhës si ushtrues detyre i kryeprokurorit. Por me këtë propozim nuk u pajtua anëtari i Këshillit, Florent Muçaj.

“Ju me ngulm doni të mbani këtë mbledhje. Unë mendoj se kjo mbledhje e ka humbur arsyen dhe racionalitetin dhe unë nuk mund të vazhdojë më tej me asnjë proçedim të rendit të ditës”, deklaroi Muçaj.

Largimi i Muçajt nga mbledhja bëri që Këshilli Prokurorial të mbetej pa kuorum dhe pa mundësi që të merrte ndonjë vendim. Me këtë rast, anëtarët e mbetur e lutën administratën që të thërriste ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që të vinte në këtë mbledhje pasi është edhe ai anëtar dhe t’u bëjë kuorumin.

“Po i them: ministër, Këshilli ka mbetur pa kuorum për shkak të largimit të kryeprokurorit dhe zëvendësit të tij. Tani janë pesë anëtarë dhe po ju lusin në keni mundësi të vini se nuk mund të vazhdojë takimi pa kuorum”, apeloi Shkëlzen Maliqi, punonjës i administratës.

Ministri Hajredin Kuçi për pak minuta u ktheu përgjigje negative anëtarëve të Këshillit Prokurorial. “Ministri thotë se është jashtë Prishtinës. Të caktojmë një ditë tjetër, kurdo”, shtoi Maliqi.

Të mbetur pa kuorum, anëtarët e Këshillit Prokurorial vendosën që më 17 mars të thërrasin një mbledhje të jashtëzakonshme, ku presin që të marrë pjesë edhe ministri Kuçi.

Top Channel