Top Channel siguron rrëfimin e plotë prej 140 faqesh të të penduarit të “Ndragheta”-s, Luciano Nocera, dhënë përpara 5 prokurorëve të Antimafies në Milano, më 13 janar 2015. Në rrëfimin e tij, i penduari Nocera rrëfen dhe lidhjet e një prej grupeve më të rrezikshme mafioze në Itali, “Ndrangheta”-s, me Shqipërinë.
Edhe pse është përfolur prej kohësh se ky grup mafioz e ka të shtrirë aktivitetin e tij edhe në Shqipëri, Nocera provon këto dyshime. Në një pasazh të dëshmisë së tij, ai përmend përfshirjen e një politikani shqiptar.
“Pronarit të lokalit ‘Scooby Doo’ i kam blerë makinën BMW X5, të cilën më pas ia shita Pinos, për ta dërguar në Shqipëri, sepse i duhej… I duhej për t’ia dhënë një politikani në Shqipëri, për të bërë të mundur kalimin e barit, pagesën e makinës e kemi bërë gjysmën me parà në dorë, gjysmën me drogë”.
I pyetur nga prokurorja Alesandra Dolci, nëse në makinën që i ishte dhënë politikanit shqiptar do të fshihej drogë, e cila më pas do të vinte në Itali, Nocera shpjegon se ia ka dhënë sepse pas kësaj i jepte rrugë të lirë ardhjes së marijuanës në Itali.
I pyetur nga prokurorja nëse makina është dërguar në Shqipëri, te një politikan shqiptar i cili më pas do të merrte përsipër furnizimin me marijuanë, i penduar rrëfen: Po, përpara se të rrëzohej Qeveria, se më pas u dogjën të gjitha plantacionet.
E kontaktuar nga Top Channel, avokatja mbrojtëse e të penduarit, Alesandra Silvestri, e pyetur lidhur me identitetin e politikanit shqiptar të cilin përmend klienti i saj, nuk ka pranuar të japë komente të mëtejshme, pasi sipas saj është ende çështje nën hetim.
Po ashtu, Top Channel ka kontaktuar dhe me prokurorin Marcello Musso, personi i cili bindi Noceran të pendohet. Edhe prokurori Musso është shprehur se nuk ka asnjë dijeni deri më tani lidhur me identitetin e politikanit shqiptar, që përmendet nga i penduari, pasi ai nuk e ka treguar atë.
Në rrëfimin e tij, Nocera tregon sesi funksionon “Ndragheta”, personat e përfshirë në të, rolin e secilit, krimet e kryera dhe rrugët e trafikut të drogës dhe të armëve.
Top Channel