Kosovë, fati i ndërmarrjeve publike, jo më në duart e komunave

10/03/2015 00:00

Komunat e Kosovës nuk do të kenë kompetencë, që të vendosin mbi fatin e ndërmarrjeve shoqërore. Kjo pasi Komisioni parlamentar për Zhvillimin Ekonomik vendosi ta fshijë tërësisht nga projektligji për ndërmarrjet publike, pjesën që u jep të drejtë komunave mbi këto ndërmarrje.

Ky është neni, i cili ishte futur në projektligj nga Qeveria e Kosovës në kohën e debatit për gjigantin metalurgjik “Trepça”. Qeveria e Kosovës, në vend që të merrte pronësinë mbi Trepçën siç ishte deklaruar, e ndryshoi ligjin për ndërmarrjet publike, duke futur nenin i cili konkretisht thoshte:

“Regjistrimi si ndërmarrje publike bëhet në marrëveshje me komunat, në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje, ose njësi të caktuara organizative të ndërmarrjes shoqërore, të cilat janë objekt i regjistrimit si ndërmarrje publike”.

Kryetari i komisionit parlamentar, Muhamet Mustafa, tha se kjo pjesë është fshirë tërësisht, pasi është vlerësuar si e panevojshme.

“Normal që e kemi analizuar dhe ka pasur një konsensus, që ajo pjesë e ligjit duhet të rikonsiderohet. Gjatë analizës kemi parë se paragrafi i parë i pikës 11.3 mund t’i përfshijë edhe nismat nga komunat për të tërhequr asete të caktuara në ndërmarrje të caktuara dhe për t’i përdorur për qëllime publike. Kështu që, meqenëse parimisht paragrafi i parë zgjidh problemin edhe të paragrafit të dytë, paragrafi i dytë nuk ka qenë i nevojshëm ndaj e kemi fshirë”, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Projektligji për ndërmarrjet publike do të kalojë së shpejti në Kuvend për miratim përfundimtar. Në mbledhjen e së martes të komisionit parlamentar, Qeveri e opozitë u shfaqën të një mendimi për fshirjes e pjesës që flet për komunat, por partitë kanë qëndrime të ndryshme për tërësinë e projektligjit.

“Po, natyrisht, përkrahja e ligjit në tërësi varet edhe prej amendamenteve të tjera. Ai amendament që është hequr, është shumë mirë, sepse ka qenë një prej amendamenteve më problematike në këtë ligj”, theksoi Visar Ymeri, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo çështje kishte ngritur polemika të shumta në radhët e opozitës, por edhe në mesin e ekspertëve, të cilët vlerësonin se Qeveria u kishte dhënë të drejtë komunave në veri të vendosin për minierat e Trepçës apo ndërmarrjeve të tjera në komunat me shumicë serbe. Komisioni parlamentar plotësoi projektlijgin edhe në pjesën e bordeve të ndërmarrjeve publike, duke u dhënë më shumë përgjegjësi për përformancën e raportin ndaj konsumatorëve të këtyre ndërmarrjeve.

Top Channel