
Kryetari i Partisë Demokratike priti këtë të hënë, në një takim
Kryeministrin Kosovës, Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin dhe ministrin
e Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, si dhe zëvendëskryeministrin dhe
ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala.
Sipas një njoftimi për mediat, Basha theksoi vendosmërinë dhe angazhimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, ekonomik, institucional, kulturor, tregtar, investimet e ndërsjellta dhe çdo masë tjetër harmonizuese në dobi të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.
Në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar në një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në një faktor stabiliteti e bashkëpunimi në rajon.
Basha, sqaron më tej njoftimi për mediat, ka vlerësuar progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë.
Me shqetësim u diskutua dhe emigrimi masiv i qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, – tha zoti Basha, – për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes e besimit të qytetarëve tek institucionet permes forcimit te shtetit ligjor dhe luftes pa kompromis kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit.
Top Channel