Surroi: Gjykata Speciale nxjerr jashtë loje gjyqësorin kosovar

07/03/2015 00:00

Publicisti kosovar Veton Surroi vlerëson se formimi i Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së nxjerr jashtë loje sistemin ligjor dhe atë kushtetues në Kosovë.

Pas miratimit nga qeveria e Prishtinës të amendamenteve kushtetuese që i hapin rrugën krijimit të kësaj gjykate, Surroi tha se autoritetet kosovare po lejojnë krijimin e sistemit paralel juridik në vend.

“Kjo Gjykatë suspendon sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin Kushtetues. Shkalla më e lartë e ankesës është Gjykata Kushtetuese në Kosovë, por për këtë nuk do të vendosë kjo gjykatë, por do të vendosin vetëm tre gjyqtarë. Pra është krijim i një sistemi të ri paralel juridik që heq mundësinë e këtij sistemi të deritanishëm për të marrë vendimet dhe përjashton të gjithë në sistemin gjyqësor të Kosovës”, deklaroi Surroi.

Intelektuali i shquar kosovar, para studentëve shqiptarë në Shkup, tha se në dy shtetet shqiptare dhe Maqedoni, institucionet bashkëveprojnë me strukturat paralele dhe për këto pohime ai paraqiti shembuj të shumtë.

Në ligjëratën e tij, Surroi përmendi edhe fluksin e azilkërkuesve kosovarë. Ai tha se në shtetet hibride, siç i quajti Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, emigracioni shihet si element bazik për qëndrueshmërinë e ekonomisë.

“Kur nga Kosova këto 2-3 muajt e fundit ikën rreth 100 mijë njerëz, nuk pash ndonjë preokupim të madh nga ana e qeverisë sepse kanë ikur 100 mijë njerëz për të cilët shpresonin se do të punësohen atje dhe do të ishin gjeneratorët e qëndrueshmërisë së këtyre shteteve hibride”, tha Surroi.

Para të rinjve në Shkup, publicisti nga Prishtina tha se demokracia është alternativa e vetme për shqiptarët në Ballkan, sepse alternativat tjera që po i ofrohen janë në kundërshtim me identitetin shqiptar.

Top Channel