Demolli: FSK-ja, në ushtri për plotësimin e dëshirës së Jasharit

06/03/2015 00:00

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli tha se kjo njësi do të shndërrohet së shpejti në forcë të armatosur për të plotësuar dëshirën e qytetarëve dhe të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Këto komente ai i bëri në akademinë përkujtimore kushtuar komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve e të rënëve për liri. Ministri Demolli theksoi se Gjykata Speciale nuk do ta zbehë luftën e pastër për liri të UÇK-së.

Në akademinë përkujtimore, e organizuar nën patronazhin e qeverisë së Kosovës, nuk ishte i pranishëm kryeministri Isa Mustafa. Përveç shefit të qeverisë, të zbrazëta ishin edhe karriket e anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesve të institucioneve.

Me një fjalim të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.

Gjatë ditës krerët më të lartë të shtetit vizituan Prekazin. Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga Hashim Thaçi, Kujtim Shala dhe ministra të tjerë bënë homazhe pranë varrit të komandat Jasharit dhe varrezave të familjes së tij. Mustafa tha se Adem Jashari është shembulli më i fortë i heroizmit, i sakrificës dhe i përkushtimit për vendin.

Ndërsa Thaçi mbresat e tij nga kjo ditë i shprehu me një postim në Facebook. “Sakrifica sublime e Jasharajve në marsin e vitit 1998 është rast i pashembullt i dashurisë e vetëmohimit për atdheun dhe na shërben si udhërrëfyes për të ardhmen e republikës sonë të re”, shkroi Thaçi në rrjetin social.

Top Channel