Thaçi në Berlin, takon Steinmeier: S’ka vend për azilantët

02/03/2015 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Gjermani me homologun e tij Frank-Walter Steinmeier dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Sipas një komunikate për shtyp nga Ministria e Jashtme, Thaçi ka falënderuar Gjermaninë për angazhimin e saj në përkrahje të Kosovës gjatë tërë këtyre viteve.

“Gjermania është një nga partnerët kryesorë të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se mbështetja që nga viti 1999 ka qenë jetik për Kosovën dhe për rajonin.

Zëvendëskryeministri kosovar njoftoi ministrin Steinmeier për angazhimin e Kosovës për t’u përballur me sfidat, veçanërisht me atë të fundit, të emigrimit ilegal të kosovarëve, për të cilët u tha se nuk do të gjejnë vend në Gjermani dhe askund në BE dhe do të duhet të kthehen prapa.

Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë kosovare takoi anëtarët e Grupit Parlamentar për Evropën juglindore të Bundestagut me të cilët bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.

Top Channel