Liridona Gashi, 10 vite në koma

02/03/2015 00:00

Ajo ishte një fëmijë e shëndetshmë, energjike, që dashuronte artin dhe sportin. Ishte gjithë kohën në lëvizje, duke mos u ndalur kurrë përpara asgjëje. Jeta e Liridona Gashit ishte plot ngjyra deri shtatorin e vitit 2005, kur në moshën 13-vjeçare kaloi në koma vegjetative.

Asokohe shtrohet në spitalin e Pejës nga një gjendje gripale, por një injeksion i shkakton alergji. Mosvendosja e një maske me oksigjen në ato momente i dëmton përgjithmonë trurin. Tashmë, prej afro 10 vitesh, ajo mbijeton me anë të aparaturave të një dhome spitali, e cila është shndërruar në një shtëpi të vogël.

E ëma dhe i vëllai i Liridonës kanë sajuar shirita shumëngjyrësh, që ta thyejnë paksa grinë e trishtuar të jetës së saj. Hasime Gashi është bërë shoqëruese e pandashme e së bijës.

“Ditën e kaloj këtu në spital, që nga ora 10 e mëngjesit e deri në orën 14 ose 15. Kur kjo nis të marrë terapinë, që e vendos në gjumë për rreth 1 orë, shkoj pak në shtëpinë tonë për të pushuar dhe për të bërë ndonjë gjë. Më pas, prej orës 4 e deri në mbrëmje rri sërish duke i bërë të gjitha shërbimet vajzës sime: i flas, e shoqëroj, kujdesem për të”, thotë nënë Hasimja.

Lajmi për sëmundjen, që do t’i ndryshonte jetën së bijës dhe gjithë familjes, ka qenë më i kobshmi.

“Moment tejet i rëndë ka qenë për mua, kur kam mësuar se ajo ka rënë në gjendje kome”.

Përveç shërbimeve që i bën gjatë ditës, ajo duhet t’i japë edhe forcë Liridonës.

“Fjalët më të shpeshta që i përsëris janë të shumta. Liridonën e mbaj me shpresë, gjithmonë e shoqëroj, i thërras në emër, i përmend shkollën, sepse e ka dashur shumë dhe m’i ka lënë detyrat përgjysmë”, thotë më tej e ëma.

Koma e Liridonës u ka ndryshuar jetën të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes. Ata janë transferuar në këtë shtëpi prej 7 vitesh, për të qenë më afër spitalit. Të atin, Ibishin, e mundon se tepërmi gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet.

“Jeta jonë është shumë e rëndë. Gjithë kohën rrimë. Këta po mundohen ta heqin vajzën prej spitalit ku është, por ne nuk i kemi mundësitë ta trajtojmë në shtëpi. Nuk punojmë, dita jonë është shumë e rëndë ashtu si dhe jeta”, thotë i ati, Ibishi.

Shqipërimi është vëllai më i vogël i Liridonës, me të cilën kanë 1 vit e 9 muaj diferencë. Ata kanë qenë gjithmonë të pandashëm.

“Më ka marrë malli t’ia dëgjoj zërin edhe një herë, të dal me të apo edhe të rri me të, jo siç rrimë aktualisht, por në një jetë normale. Sa herë që shkoj e vizitoj ndihem më mirë, sepse nëse nuk e bëj këtë, mendoj sesi do më dukej sikur ajo të mos vinte tek unë, nëse do më ndodhte mua ky rast”, thotë i vëllai.

Gjëja e parë që do të bënin, nëse ajo do të kthehej sërish si më parë?

“Do dilnim shëtitje, do luanim basketboll sepse e pëlqente shumë, do qeshnim si vëllai me motrën”.

Familja Gashi nuk është e vetmja që vuan këtë situatë. Rasti i Liridonës është bërë i njohur kohë më parë, kur ajo qëndroi për një mjekim të specializuar 3-vjeçar në Zvicër. Në 2008-n, Ambasada zvicerane e riktheu vajzën në Kosovë, duke e transferuar në spitalin privat ku ndodhet sot e kësaj dite.

Marrëveshja dhe pagesa u bënë vetëm për 5 muaj. Leart Jakupi, menaxheri dhe njëkohësisht pronari i këtij spitali, thotë se konflikti nuk është me familjen, e cila s’ka mundësi të përballojë shpenzimet mujore, që shkojnë mbi 2 mijë euro. Sipas tij, ngërçin duhet ta zgjidhin institucionet shtetërore.

“Institucionet tona për fat të keq nuk funksionojnë si duhet. Nuk po e trajtojnë këtë rast si duhet, sepse po të kishim qenë në ndonjë vend tjetër normal, si Gjermani, Amerikë apo kudo, kjo zgjidhje do të ishte zgjidhur për dy-tre ditë. Për fat të keq këtu janë bërë 6 vite, që nuk kemi marrë asnjë pagesë. Ne si spital, në këtë rast merremi vetëm me institucionet dhe kërkesat tona u drejtohen vetëm atyre. Kjo, sepse pacienten te ne nuk e ka sjellë familja, por institucionet, ndaj dhe po ato duhet ta zgjidhin ose ta tërheqin pacienten”, thotë Jakupi.

Përfaqësuesi ligjor i familjes së Liridonës, avokat Ruzhdi Gashi, rrëfen përpjekjet e shumta që janë bërë, në mënyrë që vajza të kalojë në spital shtetëror.

“Ne kemi pasur biseda të shumta me kryeministra, me ministra të Drejtësisë, të Shëndetësisë, të Mirëqenies Sociale, por edhe me Ambasadën zvicerane. Të gjithë shprehen të gatshëm që të ndihmojnë dhe të krijojnë kushte, mirëpo kanë vetëm fjalë dhe deri më sot nuk kanë bërë asgjë konkrete për realizimin e tyre”, thotë avokati.

Çfarë do të ndodhë me Liridonën, në rast se askush s’do ta zgjidhë situatën e saj?

“Ne jemi të detyruar ta mbajmë këtë paciente. Ne do ta mbajmë këtë paciente deri sa të veprojnë institucionet e Kosovës”, thotë Learti.

Edhe pse vite më parë mjekët në Zvicër thanë se gjendja e Liridona Gashit është e pakthyeshme, familjarët e saj kanë ende besim se një ditë ajo do të vrapojë sërish.

“Shpresa na mban në këtë jetë”, thotë e ëma. “Po, ajo është e fortë dhe e do jetën”, thotë i vëllai.

Top Channel