Kosovë, debat për vrasjet e pasluftës; PDK kërkon zbardhjen

02/03/2015 00:00

Nënkryetari i Kuvendit të kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme të punojë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.

Ai këtë çështje e ngriti në komisionin për integrime europiane, gjatë raportimit të ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni, për vizat dhe emigracionin ilegal.

“Mendoj se vrasjet e pazbardhura të pasluftës, që janë shumë dhe të natyrave të ndryshme, duhet të jenë një motiv i fuqishëm për të treguar hapur dhe për të goditur personat që dihet që janë përgjegjës. Ata që s’dihen pastaj duhet t’i zbulojmë. Unë mendoj se në këtë aspekt ne po akuzojmë vetëveten se s’jemi të zotë ta bëjmë dhe po kërkojmë që EULEX-i të merret me diçka që ne e dimë. Po pse ne s’jemi në gjendje të denoncojmë ose të veprojmë kundër tyre? Ne jemi shteti”, deklaroi Haliti.

“Pajtohem aq shumë me ty zoti Haliti, që të gjitha vrasjet duhet të zbardhen dhe unë të siguroj ty edhe komisionin që unë jam në fillimet e ristrukturimit të shumë gjërave në MPB, me qëllim rritjen e efikasitetit në përballjen me të gjitha këto çështje dhe probleme të natyrave të ndryshme”, u përgjigj Hyseni.

Vrasjet politike të pasluftës konsiderohen si një njollë e zezë për Kosovën. Familjarët e viktimave, ish-veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së fundmi kanë kërkuar që rastet të trajtohen nga Gjykata Speciale që pritet të ngrihet.

Top Channel