Kundërshtohet greva e urisë, studentët e publikut: Lironi sallën, kemi provime

28/02/2015 00:00

Një përfaqësi e këshillit studentor të Fakultetit të Mjekësisë ka kërkuar pasditen e së shtunës nga studentët grevistë që të largohen nga ambjentet e universitetit dhe të vijojnë protestën diku tjetër.

Grupi i studentëve që kanë hyrë në universitet me mesatare ka kërkuar nga bashkemoshatarët që vijnë nga universitetet private që të mos pengojnë mësimin.

“Ne i kërkojmë këtij grupimi, që ka të gjithë të drejtën të protestojë për çdo gjë që mendojnë se është anormale, që të zhvendosë protestën në një ambjent tjetër dhe të lirojë sallën sepse aty ditën e hënë ka provime”, tha një anëtar i përfaqësisë.

Më herët një nga studentët grevistë ka kërkuar ndihmë dhe është nxjerrë nga ambjentet e grevës për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Ajo është dërguar në spital për mjekim. Studentët që vijnë nga universitetet private të mbyllura kanë kërkesat e tyre për trajtim të njëjtë me pjesën tjetër të studentëve të universitetit publik.

Në godinën e Infermierisë janë ngujuar mbi 50 studentë të cilët theksojnë se nuk do të largohen nga kjo godinë derisa tarifa e tyre e studimit të jetë e njëjtë me studentët e tjerë.

Ministria e Arsimit një ditë më parë deklaroi se tarifat e studimit propozohen nga universitetet dhe më pas miratohen nga ministria në bazë të kostove që ka çdo institucion. Studentëve u janë bërë të njohura tarifat dhe kuotat e regjistrimit për çdo universitet.

Top Channel