Prishtinë, kthehen të tjerë emigrantë ilegalë. 7 nga Belgjika

26/02/2015 00:00

Kthimi i kosovarëve që kanë emigruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian po vazhdon. Të enjten janë deportuar me aeroplan, nga Belgjika për në Kosovë, 7 emigrantë kosovarë. Ata janë shoqëruar deri në Aeroportin e Prishtinës nga policë civilë të Belgjikës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rroksana Qarri, ka konfirmuar për Top Channel kthimin e emigrantëve nga Brukseli, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e kthimit të kosovarëve, që janë larguar ilegalisht nga vendi.

Qarri tha se aktualisht e kanë të konfirmuar një avion tjetër, që do të sjellë emigrantë më 11 mars, ndërsa për udhëtimet e tjera tha se janë në pritje të konfirmimit nga shtetet përkatëse.

Derisa po ndodh kthimi gradual i emigrantëve, numri i kosovarëve që po largohen nga Kosova tanimë ka rënë dukshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se, në dy ditët e fundit nuk është shënuar asnjë rast i kapjes së ndonjë kosovari, duke kaluar nga Serbia për në Hungari.

Top Channel