Gjykata Speciale, Qeveria nis punën për ndryshimin e Kushtetutës

26/02/2015 00:00

Qeveria e Kosovës është duke punuar për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, konkretisht në ligjin dhe statutin e këtij institucioni.

Kryeministri Isa Mustafa dha disa informata lidhur me këtë proces, pas kritikave nga deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, se Kuvendi po anashkalohet përsa i përket krijimit të kësaj gjykate.

“Ne tani kemi një ekip koordinues ku bën pjesë presidentja, kryetari i Kuvendit dhe unë si kryeministër. Tani për tani po punohet për tekstin e Kushtetutës që do të vijë si propozim në Kuvend dhe deputetët do të mund ta shohin të gjithë, sepse askush nuk mund të vendosë jashtë Kuvendit për të. Konkretisht po punohet për ligjin për Gjykatën Speciale dhe për statutin e saj. Të gjitha këto dokumente do t’i keni”, u tha Mustafa deputetëve në seancë plenare.

Kryeministri shtoi se ka kërkuar nga presidentja që të informojë partitë opozitare për këto dokumente. Deputetja Vjosa Osmani, përveç kritikave ndaj qeverisë për injorim të Kuvendit, lidhur me këtë çështje ngriti edhe një shqetësim tjetër.

Ajo tha se, bazuar në informatat e publikuara në media Gjykata Speciale nuk do të hetojë vrasjet politike të kryera pas luftes. Sipas Osmanit, prokurori amerikan Clint Williamson ka hetuar edhe mbi ato ngjarje dhe rrjedhimisht kërkoi që ato të trajtohen.

“Në juridiksionin e gjykatës nuk do të përfshihen vrasjet e pasluftës. Kërkoj që delegacioni teknik ta bëjë këtë kërkesë dhe kërkoj që Gjykata Speciale të mos bëjë drejtësi selektive sepse raporti i Williamson ka hetuar vrasjet e pasluftës”, tha Osmani.

Ndërsa më tej gjatë seancës, kryeministri Mustafa u ndal edhe tek çështja e matësve elektrikë duke thënë se qytetarët nuk janë dëmtuar prej tyre. Megjithatë, shtoi ai, qeveria është në pritje të rezultatit të hetimeve.

Cilësia e miellit ka qenë një tjetër problem shqetësues i prekur nga kryeministri, për të cilin ai tha se ka ngritur një komision të posaçëm. “Duhet të bëjmë një ekzaminim të qartë të cilësisë së miellit. Analizat do t’i dërgojmë në një institut të BE-së në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje. Është detyra jonë të dime se me çfarë po ushqehen qytetarët tanë”, tha Mustafa.

Deputetët e pranishëm në Kuvend ngritën disa çështje, mes të cilave atë për krijimin e forcave të armatosura. Ministri i FSK-së, Haki Demolli deklaroi se, para aprovimit të pr/ligjit për transformimin e FSK-së në FAK, Kuvendi duhet të votojë ndryshimin e amandamenteve kushtetuese.

Top Channel