Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi në pikëpyetje

25/02/2015 00:00

I emëruari për kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Aleksandër Lumezi, duhet të presë për të kuptuar nëse do ta ushtrojë apo jo këtë detyrë.

Kjo, pasi përveç dekretit përfundimtar që duhet të nxjerrë presidentja, edhe Gjykata Kushtetutuese duhet të marrë një vendim, pasi procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit ishte kundërshtuar herën e parë.

Në një përgjigje elektronike, zyra e presidentes së Kosovës thotë se, zonja Jahjaga do të veprojë në përputhje me ligjin, Kushtetutën dhe afatet e përcaktuara ligjore, që në këtë rast janë dy muaj.

“Ligji e përcakton se Këshilli Prokurorial i Kosovës i bën propozimin Presidentes për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit, pas një procesi të drejtë, të besueshëm dhe të paanshëm, për të përzgjedhur një person i cili ndërton besim nga vetë procesi, por që këtë besim në sistemin e drejtësisë e bart edhe tek qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk tregon se kur do të vendosë lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial për emërimin e Lumezit.

Zëdhënësi Veton Dula konfirmoi se, gjykata është informuar me proçedurën e emërimit dhe të propozimit për emërim të kryeprokurorit të Shtetit.

Në një komunikim me e-mail ai tha se, Kushtetuesja do të shqyrtojë zbatimin e rekomandimeve nga aktgjykimi i mëparshëm dhe se vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën. Kushtetuesja në korrik 2014 kishte vendosur të anulonte zgjedhjen e kryeprokurorit pas ankesës së dy kandidatëve.

Gjykata e kishte kthyer procesin në fillim. Në proçedurën e dytë, 5 kandidatët për kryeprokuror janë tërehequr nga gara me arsyetimin se është proces i komprometuar. Këshilli Prokurorial e vazhdoi atë me kandidatin e vetëm, Aleksandër Lumezi.

Top Channel