Gjykata Speciale, Jahjaga mbledh krerët e institucioneve

25/02/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbledhur të mërkurën në një takim të përbashkët krerët më të lartë të institucioneve të vendit, për të biseduar për formimin e Gjykatës Speciale.

Burime të Top Channel brenda institucioneve bëjnë të ditur se në takimin e thirrur nga Jahjaga morën pjesë kryeministri Isa Mustafa, zv.kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Tracey Jackobson, si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Top Channel ka mësuar se në këtë takim Jahjaga, e cila udhëheq ekipin politik për çështjen e Gjykatës Speciale, ka diskutuar me krerët e institucioneve për rrugën më të mirë për formimin e kësaj strukture, e cila do të merret me krimet e pretenduara të UÇK-së.

Mësohet se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar nga udhëheqësit kosovarë që të jenë më pragmatikë dhe të kalojnë pa humbur kohë ndryshimet e nevojshme në Kuvend, për t’i hapur rrugë krijimit të gjykatës. Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë të institucioneve kosovare kanë refuzuar të flasin për takimin.

Në ditët në vijim pritet që ekipi teknik për Gjykatën Speciale, që udhëhiqet nga ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, të paraqesë vlerësimet e veta për dokumentin që ka hartuar Bashkimi Evropian për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që duhet të bëjë Kosova për t’i hapur rrugë krijimit të gjykatës.

Top Channel