Eksodi, ndërron jetë në kampin hungarez një fëmijë nga Kosova

24/02/2015 00:00

Një foshnje kosovare afro 2 vjeçe, e datëlindjes qershor 2013, ka vdekur në kampin e emigrantëve
kosovarë në Hungari. Vogëlushja Arza Mustafa mësohet se ishte e sëmurë.

Xhaxhai i Arzas, Naim Mustafa nga fshati Beguncë e komunës së Vitisë, ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel për vdekjen e mbesës së tij.

Naim Mustafa tha se vëllai i tij Besimi bashkë me nusen dhe katër fëmijët ishin nisur para tri javësh për në Hungari përmes Serbisë.

Ai tha se vëllai u nis me qëllimin që ta dërgoj vajzën e cila kishte lindur me sindromë doën për në Gjermani, në një spital të specializuar për shërim, por sipas tij hungarezët disa herë e kanë zbritur nga treni në Budapest dhe ia kanë grisur biletën, duke e kthyer në kamp.

Tragjedia e familjes Mustafa vazhdon, pasi – sipas Naimit – i vëllai i tij, përveç vajzës që i ka vdekur, ka të sëmurë me epilepsi edhe një djalë 12 vjeç.

Ai tha se ka komunikuar me vëllanë Besimin dhe se ai është duke pritur kompletimin e dokumentacionit përkatës për ta marrë pastaj vajzën Arza nga morgu në Hungari dhe për ta sjellë në vendlindje për ta varrosur.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari është informuar nga autoritetet hungareze, se më 22 shkurt 2015 ka vdekur një fëmijë dyvjeçar nga komuna e Vitisë, në një qendër strehimi të azilkërkuesve në Hungari, ku ishte vendosur prej disa javësh bashkë me anëtare të tjerë të familjes.

Sipas informacioneve zyrtare të autoriteteve hungareze, fëmija ka marrë ditëve të fundit trajtim mjekësor në qendrën e azilkërkuesve. Autoritet hungareze janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së fëmijës dhe shumë shpejt pritet të dalin me një raport zyrtar mjekësor, përfundon komunikata e Ambasadës kosovare në Hungari.

Top Channel