Gjirokastër, nëna e pesë fëmijëve kërkon ndihmë

23/02/2015 00:00

Valmira Gërxholli nga fshati Zhulat i Gjirokastrës, 28 vjeç, u martua pak vite më parë dhe solli në jetë njëri pas tjerit 5 fëmijë: 3 vajza dhe 2 djem.

Ardhja në jetë e fëmijëve, papunësia e të shoqit dhe së fundi ekzaminimi i saj me një tumor po e vështirëson çdo ditë jetesën për këtë familje. Valmira vetë thotë se e ka të pamundur të përballojë mjekimin e saj dhe ushqimin e fëmijëve me pensionet bujqësore të vjehrrit dhe vjehrrës.

Asaj i duhet të udhëtojë drejt Tiranës për trajtimin me kimioterapi dhe ka nevojë që dikush të kujdeset për të dhe fëmijët: “Jam një nënë me 5 fëmijë, nga 8 deri në 4 vjeç. Jam me tumor dhe kam bërë 4 kimioterapi që i përballoj vetë. Të ardhurat e mia janë vetëm vjehrri dhe vjehrra. Unë nuk kam asnjë ndihmë nga shteti. Kur kam kërkuar, më kanë thënë që unë dhe burri kemi tokë.”

Kërkesave të familjes në vështirësi për përkrahje, punësim apo ndihmë i është prerë rruga nën pretendimin se në një fshat të Përmetit, familja e Azis Mustafait, vjehrrit të Valmirës, ka përfituar tokë bujqësore.
Vetë Azisi tregon: “Më kanë thënë që nuk më takon. Më thanë që do e shikojnë këtë punë, por kur do ta shikojnë? Kur të vdesim?”

Shërbimi Social Shtetëror në Gjirokastër ka bërë me dije se ka njoftim për rastin, por është në pritje të plotësimit të dokumentacionit prej tyre.

Top Channel