Mustafa kërkon përkrahje të gjithanshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës

22/02/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar të gjithë aktorët relevantë të përkrahin vizionin e Qeverisë, që ai drejton, për të zhvilluar ekonominë e vendit.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se, për të arritur zhvillim të mirëfilltë ekonomik duhet të luftohet korrupsioni, monopoli i disa kompanive publike dhe private, si dhe të krijohet hapësirë e barabartë për çdo biznes.

“Nuk mund të lejojmë që të shtrëngohen bizneset e vogla. Atyre do t’u hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit, etj.”, tha Mustafa.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka përmendur sërish liberalizimin e vizave, si një barrierë që nuk po u hiqet qytetarëve dhe bizneseve kosovare, për të komunikuar me tregun evropian.

“Në këtë situatë, ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e ‘pashallëkut tonë’, prandaj edhe ato duhet të marrin vizën evropiane dhe të konsumohen edhe nga të tjerët”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë orientuar qartë për lidhje me civilizimin evropian dhe me vendet perëndimore.

“Kjo derë duhet të na hapet sa më shpejt, sepse ekziston rreziku që njerëzit, disa për interesa të tyre e të tjerët nga humbja e shpresës, po ia mësyjnë nganjëherë edhe lindjes. Ne do ta ndërtojmë fatin tonë me përgjegjësinë, nuk do të eksperimentojmë me të. Por, po ashtu, nuk duhet as që me fatin tonë të eksperimentojnë të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse ne nuk meritojmë që të mbesim popull i ngujuar në Evropë”, tha Mustafa.

Sipas tij, askush nuk mund ta marrë si pretekst ikjen e qytetarëve të Kosovës, për të argumentuar zgjatjen e liberalizimit të vizave, kjo për shkak se – sipas Mustafës – drejt vendeve perëndimore lëvizin çdo vit edhe qytetarët e vendeve të “Schengen”-it dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Top Channel