Prishtinë, ndalohet 18-vjeçari që po nisej drejt Sirisë

21/02/2015 00:00

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vënë në pranga në aeroportin e Prishtinës një të ri vendas që po përpiqej të udhëtonte drejt Turqisë, me shumë gjasa për t’iu bashkuar luftimeve të ISIS në Siri.

Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë këtë të shtunë, policia e ndaloi shtetasin me iniciale L.R teksa përpiqej të hipte në fluturimin Prishtinë-Stamboll.

Kanë qenë agjentët e anti-terrorit ata që e kanë ndaluar 18-vjeçarin nga Gjilani, të cilët pas kontaktit me prokurorin e gatshëm e kanë lënë në arrest për 24 orë.

Duke shprehur angazhimin për frenimin e fenomenit të përfshirjes së të rinjve kosovarë në luftën e Shtetit Islamik, drejtuesit e Policisë së Kosovës kanë deklaruar se, anëtarësimi i vendit në agjencitë policore evropiane si Interpol dhe Europol do të bënte më efikase përpjekjet në këtë drejtim.

Top Channel