Pas avancimit të ISIS në Libi dhe marrjes nën kontroll të disa qyteteve, i ngarkuari me punë i Libisë në Shqipëri, Essam Ben Galiel, në një intervistë për Top Channel hedh dritë mbi atë që po ndodh atje.
Ai thotë se ekstremistët po përfitojnë nga që vendi është i ndarë dhe me dy qeveri. Ndaj zgjidhja sipas tij duhet të vijë nga ndërkombëtarët.
TCH: Që pas rrëzimit të Gedafit, Libinë e kanë pasuar një valë trazirash e destabiliteti, që nga krijimi i dy qeverive paralele, grupet rebele të cilat kanë në kontroll disa qytete, e deri tek ngjarjet më të fundit, sulmet e të ashtuquajturit “Kalifati Islamik”, të cilat kanë në kontroll disa qytete të Libisë. Si mund ta përshkruani ju gjendjen në Libi?
Essam Ben Galiel: Duhet parë me kujdes nga njerëzit për të arritur në përfundimin se si ka arritur Libia në këtë gjendje. Që të sjellim një realitet të tanishëm të popullit libianë, duhet të sjellim në kujtesë ato që kanë vuajtur në vitet e shkuara. Shumë njerëz apo popuj nuk e dinë se çfarë ka kaluar Libia prej vitesh. Makineria e Gedafit, ka qenë sistemi me i sofistikuar ushtarak në vendet arabe.
TCH: ISIS tashmë ka në kontroll disa qytete kyçe në Libi dhe është duke avancuar gjithnjë e më shumë drejt Tripolit, si mendoni se ekstremistët kane arritur të hyjnë dhe të marrin nën kontroll këto zona të Libisë?
Essam Ben Galiel: Përflitet shumë për një gjë të tillë, për mënyrën se si ata mund të kenë hyrë në Libi. Për shkak të pasurive të shumta që ka Libia, ka dhe ato intrigat e veta që formohen. Libia lakmohet shumë qoftë brenda, por edhe jashtë. Kemi po ashtu dhe në Egjipt, persona që janë dashakeqës për Libinë. Po ashtu është dhe Ahmed Gedafi, djali i xhaxhait të Gedafit, i cili ka një pasuri të madhe dhe financon dhe i mbështet shumë grupet që janë kundër Libisë. Vlen të përmendet se Ahmed Gadafi, në një prej televizioneve Egjiptiane ka dal hapur duke deklaruar se mbështet ISIS. Por po te shohim me kujdes çështjen nëse ka me të vërtetë në Libi ekstremistë. Po të shohim me kujdes videon e xhiruar, ka dyshime të mëdha nëse ka ndodhur me të vërtetë në Libi apo jo. Por dua të shtoj se edhe nëse ka ekstremizëm në Libi ai është në një numër shumë të vogël që nuk ndikon.
TCH: Kush mund ta ndalë ISIS në Libi? Si mund të ndalet ISIS? A shihni rrezikun dhe mundësinë që ISIS të marrë Libinë dhe të mos ekzistojë si shtet?
Essam Ben Galiel: Dua t’ju siguroj edhe njëherë se në Libi nuk ka të dhëna zyrtare, të sakta se ata ekzistojnë në Libi, sado që mund të shfaqen sikur ngjarjet kanë ndodhur në Libi. Populli libian është një popull paqedashës dhe mbi të gjitha janë praktikantë të fesë myslimane dhe e zbatojnë me përpikimëri atë çka thotë Islami në dobi të njerëzimit. Vrasja apo terrorizimi janë inekzistente në Islam.
Nëse bota perëndimore kërkon ta ndihmojnë popullin libian që ta kalojë këtë krizë që ata po përjetojnë dhe për të shfarosur ekstremizmin, zgjidhja e tyre është shumë e thjeshtë, duhet të zgjidhin konfliktin e brendshëm që është tek pushtetarët libianë që të arrijnë në paqe. Duke ushtruar presionin e tyre diplomatik që ata të ulen në tryezë dhe të bashkëpunojnë për të mirën e vendit dhe jo duke përkrahur një grup kundër tjetrit.
TCH: A duket se po vërtetohet teoria e Gedafit se vetëm ai mund ta mbante Libinë të bashkuar dhe të qetë?
Essam Ben Galiel: Po të shohim me kujdese vuajtjet që po heq sot populli i Libisë janë pasojë e regjimit të tij.
TCH: Një nga alarmet, qe ka ngritur në këmbë gjithë vendet e botës, por më së shumti Italinë, është kërcënimi se ekstremistët mund të arrijnë në brigjet italiane. Sa real është sipas jush ky kërcënim i bërë nga vetë militantët e ISIS?
Essam Ben Galiel: Personalisht e shikoj si një skenar të sajuar për t’i futur frikën njerëzve nëpërmjet këtij grupi që mund të arrij në brigjet italiane, por që personalisht mendoj se nuk munden.
TCH: Çfarë është për ju ISIS?
Essam Ben Galiel:Nuk janë pjesë e Islamit.
TCH: Në media thuhet se ekstremistët janë duke ju afruar dhe Tunizisë. Nga informacionet tuaja, sa i saktë është ky informacion dhe cilat janë qytetet që tashmë janë nën kontroll të ISIS apo të grupeve që i mbështesin?
Essam Ben Galiel: Është një luftë e hapur që po i bëhet 17 shkurtit. Ka nga ata që thonë se ka grupe ekstremiste në Libi, por dhe nga ata që thonë jo.
TCH: Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurisë, ambasadori i Libisë kërkoi heqjen e embargos së armëve për Libinë, embargo kjo e vendosur që pas rrëzimit të Gedafit, por ka hasur në skepticizmin e perëndimorëve. A mendoni se kjo do ishte një zgjidhje që ushtria e Libisë të ndalonte militantët e ISIS?
Essam Ben Galiel: Nëse ka furnizime me armë do të ishte një problem akoma më i madh, sepse në Libi ka municione të shumta dhe ka nevojë për pastrimin e tyre dhe jo për t’i furnizuar më tej. Nëse do të ketë furnizim me armë, do të thotë që do të ketë konflikte edhe më të mëdha. Në vend që të mendohet për furnizimin me armë të këtyre grupeve, do të ishte më e udhës që t’i bëhej presion që ato të uleshin në tryezën e diskutimeve për pajtim kombëtar.
TCH: A janë të mjaftueshme vetëm sulmet e Egjiptit apo duhet një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare në Libi?
Essam Ben Galiel: Në të vërtetë ndërhyrja e Egjiptit në tokën libiane ka qenë një gabim i rëndë. Me këtë ndërhyrje ushtarake pati dhe viktima të pafajshme, fëmijë, gra e të moshuar. Ne kemi nevojë që nga vëllezërit tanë egjiptianë të na qëndrojnë pranë, e jo të na godasin. Sikurse pati dhe kundërshtime nga Algjeria dhe Tunizia të cilat nuk e donin një ndërhyrje ushtarake në Libi.
TCH: A keni dijeni për shtetas shqiptarë që mund të jenë aktualisht në Libi dhe mbi fatin e tyre?
Essam Ben Galiel: Numri i shqiptarëve në Libi ka qenë i vogël dhe janë larguar kohë më parë dhe nuk ka pasur asnjë nevojë për panik.
TCH: Në Libi ka ISIS apo grupe rebele që përdorin flamurin e ISIS?
Essam Ben Galiel: A ka flamuj të zinj me mbishkrimin “s’ka zot tjetër veç Allahut”, sigurisht që ka, sepse ato përdoren në Islam, mirë po populli libian është një popull paqedashës dhe do ta luftonte ekstremizmin.
Top Channel