Hahn: Mbështetje ekonomike Kosovës. Fluksi i emigrantëve ilegalë ka rënë

21/02/2015 00:00

Në përfundim të turit të dytë në Ballkan, komisioneri Johannes Hahn u shpreh për mbështetje financiare të Brukselit ndaj Prishtinës, për të nxitur zhvillimin ekonomik me qëllim shmangien e largimit masiv të njerëzve nga vendi.

“Duket se ka një rënie tashmë të numrit të emigrantëve të paligjshëm. Unë shpresoj se kjo do të jetë e qëndrueshme dhe për këtë arsye është e domosdoshme të fokusohemi tek zhvillimi ekonomik, në mënyrë që të trajtohen shkaqet rrënjësore të këtij problemi. Zhvillimi ekonomik i vendit do të ishte përgjigjia më e mirë për të trajtuar situatën aktuale, pasi njerëzit janë duke u përpjekur të lenë vendin për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike. Kështu që ne duhet të përqëndrohemi në Kosovë për të nxitur me të vërtetë ekonominë dhe për këtë qëllim, ne do të ofrojmë mbështetje financiare”, deklaroi Hahn.

Për Maqedoninë, komisioneri u bëri thirrje politikanëve që të zgjidhin ndasitë mes tyre dhe të kthejnë vendin në rrugën e reformave drejt Bashkimit Evropian.

“Të gjitha palët politike duhet të zgjidhin ndasitë aktuale e tepër serioze në Parlament, në përputhje me të drejtat themelore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, në mënyrë që të kthejnë vendin në rrugën e duhur. Ne po shohim për formatin më të mirë për të mbështetur në këtë proces edhe përmes institucioneve të tjera europiane”, theksoi Hahn.

Komisioneri ishte edhe në Ukrainë këtë javë, ndërsa pritet të vizitojë Shqipërinë më 12 mars për tryezën e radhës së dialogut të nivelit të lartë mbi 5 prioritetet kyçe, që kushtëzojnë nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Top Channel