Albin Kurti lë kreun e Vetëvendosjes, Visar Ymeri kandidati i vetëm në zgjedhje

21/02/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje e ka rezervuar fundjavën për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kandidati i vetëm për ta drejtuar Vetëvendosjen në tre vitet e ardhshme është Visar Ymeri. Anëtarët e këtij subjekti politik po votojnë sipas parimit një anëtar një votë në mbi 200 vendvotime në të gjithë Kosovën dhe në qendrat e diasporës.

Në fletën e votimit ata kanë tri mundësi zgjedhjeje të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë në lidhje me kandidaturën e Ymerit. Pasi ka votuar, kryetari i deritanishëm Albin Kurti tha se Vetëvendosje po jep shembull se si duhet të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira në të gjithë Kosovën.

“Sot dhe nesër po mbajmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike brenda Lëvizjes Vetëvendosje, për Vetëvendosjen dhe jo vetëm për të për shkak se me procesin tonë demokratik, me shembullin tonë tregojmë se si duhet të ndërtohet demokracia edhe në mbarë Republikën e Kosovës”, deklaroi kryetari në largim, Albin Kurti.

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më datën 1 mars. Nëse Visar Ymeri fiton zgjedhjet atëherë mblidhet Këshilli i Përgjithshëm në po të njëjtën ditë si organ që do të zgjedhë kryesinë e re me 15 anëtarë.

Katër nga anëtarët e kryesisë së re si Sekretari Organizativ, Koordinatori i Komiteteve, Nënkryetari i parë dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë propozohen nga kryetari i ri, ndërsa të tjerët nga Këshilli i Përgjithshëm dhe të gjithë votohen nga ky këshill.

Në një prononcim kandidati për kryetar Visar Ymeri tha se do të punojë për forcimin e partisë brenda dhe jashtë Kosovës.

“Do punoj për fuqizimin e organizatës sonë, të qendrave dhe pikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në një intensifikim të marrëdhënieve me subjekte të tjera politike të shqiptarëve jashtë Kosovës, por edhe me ato të vendeve të BE-së që janë subjekte progresiste, social-demokratë dhe të majtë me të cilët ne mendojmë se kemi përputhje programore dhe me qendrime”, tha Ymeri.

Paralelisht me votimet për kryetarin, anëtarësia e Vetëvendosjes është duke votuar edhe për ndryshime statutore. Bëhet fjalë për mënyrën e lidhjes së koalicioneve në nivelin lokal. Sipas kryesuesit të Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm, Boiken Abazit nëse deri më tani për këtë ka vendosur e gjithë anëtarësia sipas parimit një anëtar një votë, në këto zgjedhje anëtarësia do të votojë nëse këtë përgjegjësi do t’ja kalojë Këshillit të Përgjithshëm, pra që ky organ të vendosë për koalicionet në nivelin lokal.

Top Channel