Gjykata Speciale, VV: Krijimi i saj, eliminim i sovranitetit të vendit

19/02/2015 00:00

Për Lëvizjen Vetëvendosje, klasifikimi si konfidencial i dokumentit qeveritar që përgatit Gjykatën Speciale është i padrejtë. Kjo lëvizje e bëri publik dokumentin, duke vlerësuar se nuk përmban sekrete që rrezikojnë sigurinë, dhe se opinioni ka të drejtë të informohet sa më parë.

Për Vetëvendosjen, Gjykata minon shtetin e së drejtës dhe sulmon moralisht luftën e UÇK-së. Deputetja e Vetëvendosjes dhe kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se formimi në këtë formë i Gjykatës Speciale cënon rendin kushtetues të Kosovës.

“Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësorit në Kosovë, nga ana e Gjykatës Speciale, është guri i fundit i atij pak sovraniteti e pavarësie që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës, në një Republikë të pavarur”, tha Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Haxhiut, përjashtimi i komplet sistemit të drejtësisë nga Gjykata Speciale tregon qartë, se në Kosovë po ndërtohet një sistem paralel i drejtësisë, i cili do të veprojë jashtë territorit të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, paralajmëroi angazhim përmes të gjitha metodave, për të kundërshtuar miratimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai tha se përveç mekanizmave parlamentarë, do të përdorin edhe forma të tjera kundërshtuese, duke paralajmëruar edhe organizimin e protestave kundër formimit të kësaj gjykate.

“Kush e ka menduar që 7 vite pas Pavarësisë së Kosovës, ushtarët e UÇK-së do të përfundojnë nëpër Gjykata Speciale, të cilat do të krijohen enkas për ta, kurse Serbia do të zhvillojë negociata për të hyrë në Bashkimin Evropian, me në krye të ushtrisë Lubisha Dikoviçin, që neve na ka masakruar këtu?”, pyeti Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes.

Konjufca i ka ftuar të gjithë deputetët, që të mos e votojnë nxjerrjen e një ligji, që do ta ndëshkonte luftën e UÇK-së dhe do ta dëmtonte imazhin e Kosovës.

Top Channel