Fluturimi i parë nga Prishtina në Aeroportin e Gjakovës

19/02/2015 00:00

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, realizoi fluturimin e parë civil në Aeroportin e Gjakovës, një nismë kjo për të treguar potencialin ekonomik të kësaj komune, por edhe të ardhmen e aeroportit të dytë në Kosovë.

Fluturimi nga Aeroporti i Prishtinës në atë të Gjakovës zgjati për 15 minuta dhe, sipas kryetares së Gjakovës, u mundësua nga një kompani sllovake e interesuar për investime.

“Sot kemi realizuar udhëtimin e parë civil në Aeroportin e Gjakovës prej Aeroportit të Prishtinës, me një avion italian dhe pilot sllovak, me nismën e një kompanie sllovake, e cila ka ardhur në Kosovë pas vizitës sonë në Bratislavë, për të shqyrtuar mundësitë e investimit në disa fusha, kryesisht në energji të ripërtëritshme, në riciklim dhe në investime të infrastrukturës”, tha Mimoza Kusari Lila, kryetare e Gjakovës.

Kryetarja e Gjakovës kërkoi nga Qeveria e Kosovës, që të trajtojë me urgjencë funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës. Planifikohet që ky aeroport të shfrytëzohet për fluturimet “cargo” apo bartje mallrash, trajnimet profesionale të pilotëve dhe operimin e fluturimeve me kosto të ulët.

“Tani është në procedurë përzgjedhja e bordit të Aeroportit të Gjakovës, si hapi i parë rreth funksionalizmit të ndërmarrjes publike, pastaj besoj se do të zgjidhet udhëheqësi i aeroportit, ndërsa Qeveria duhet të përpilojë planin e dhënies me koncesion të Aeroportit të Gjakovës. Ne si qeverisje lokale, gjithsesi, do ta ngrejmë edhe njëherë urgjencën e funksionalizimit të aeroportit, dhe domosdoshmërinë e të pasurit të shërbimeve sidomos për fluturimet ‘cargo’, në ndihmë të kompanive prodhuese dhe ato që do të vendosen në zonën e lirë ekonomike të Gjakovës, që të kenë furnizime të rregullta dhe të shpejta, por natyrisht edhe për të ofruar shërbime sa më cilësore”, u shpreh më tej Mimoza Kusari Lila.

Ndërkohë, zyrtarët e aeroportit të Prishtinës, përkatësisht të zyrës së Avicionit Civil, nuk janë shprehur të gatishëm për t’u prononcuar për këtë çështje. Zëdhënësi i Kontrollit Ajror, Driton Ujkani vetëm konfirmoi se janë kryer shërbimet për realizimin e këtij fluturimi.

Në dhjetor 2013, Aeroporti i Gjakovës është transferuar nga Ministria italiane e Mbrojtjes te Qeveria e Republikës së Kosovës. Nën menaxhimin dhe kontrollin e forcave italiane, që nga koha e luftës, aeroporti është përdorur për fluturime ushtarake, ndërsa tani synohet dhënia e tij me koncesion.

Para pak kohësh, Qeveria e Kosovës ka hapur konkursin për zgjedhjen e bordit të drejtorëve për Aeroportin e Gjakovës, si hap i parë për funksionalizimin e ndërmarrjes publike për t’u zgjedhur më pas edhe grupi menaxherial i aeroportit. Kjo pritet të pasohet me procedurat për dhënien te një investitor i huaj me koncesion, sikurse ka ndodhur me Aeroportin e Prishtinës.

Top Channel