Hahn në Kosovë: Emigrimi ilegal s’ka lidhje me liberalizimin e vizave

18/02/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti paraditen e së mërkurës në takim komisionerin e BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, i cili ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë.

Sipas një komunikate të Presidencës, Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit,  Johannes Hahn, duke e vlerësuar rolin e Presidentes Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Zotëri Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Komisioneri i BE-së është takuar edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Kryeministrin Isa Mustafa.  Vizita e Hahn vjen në një kohë që në Kosovë ka filluar edhe kthimi i disa emigrantëve më avionë nga Gjermania.

Top Channel