Aktet terroriste në Tiranë, Klosi: Po tentohet të krijohet një situatë pasigurie

14/02/2015 00:00

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli për ngjarjet e kësaj jave, shpërthime bombash, tritol i pashpërthyer dhe ditën e djeshme grabitja e një automjeti që po transportonte paratë e një banke.

Zoti Klosi i cilësoi sulmet me tritol si akte të pastra terroriste. Ai u shpreh se dikush po tenton të krijojë një situatë pasigurie, të krijojë një psikozë frike, për të treguar se policia nuk është në gjendje për të vendosur rendin.

Pandi Gjata: Si e përjetuat gjithë këtë javë me një seri ngjarjesh të rënda që pasuan njëra tjetrën?

Fatos Klosi: Unë kam punuar në Shërbimin Informativ, por tashmë janë bërë disa vite që unë jam larguar nga ai post dhe jam një qytetar i ndjeshëm ndaj këtyre problemeve. Ishte një javë fare e pakëndshme. Të dëgjosh që natën ka pasur shpërthime dhe se ka edhe të tjera raste që nuk shpërthyen në kryeqytetin e Shqipërisë, natyrisht që nuk të vjen mirë.

Pandi Gjata: Dhe ishin zinxhir njëra pas tjetrës…

Fatos Klosi: Pastaj të lë edhe një përshtypje akoma më të hidhur, pasi duket sikur është një dorë që po tenton të krijojë një situatë pasigurie, të krijojë një psikozë frike. Policia nuk mund të ruajë të gjithë Tiranën.

Pandi Gjata: Këto ngjarje i shikoni të bëra nga një dorë e vetme, apo që kanë pasuar njëra-tjetrën?

Fatos Klosi: Kjo i takon organeve kompetente, por nga ato përshtypjet e para që dëgjova nga policia, të paktën për tre rastet e para, duket sikur është e njëjta dorë. Duke pasur parasysh edhe faktin që të 4 rastet janë afër në kohë tregon sikur është një dorë, duket sikur kanë rënë dakord për të bërë një gjë të tillë dhe kjo është gjëja më e rëndë. Për mua këto janë akte terroriste që nuk kanë ndonjë mesazh konkret. Tre raste brenda së njëjtës natë tregon që është një dorë, por unë nuk mund të vë gishtin, por nisem nga psikoza e përgjithshme se kush mund të përfitojë nga kjo gjë.

Pandi Gjata: Mesazhi është për të kërcënuar apo për të paralajmëruar dikë?

Fatos Klosi: Jo. Për mua mesazhi është më i përgjithshëm. Për të treguar në këtë vend që policia nuk është në gjendje për të vendosur rendin. Është thënë në nivelet më të larta të politikës se ministri nuk është në gjendje të ruajë farmacinë e babait të tij. Për mua është dikush, të cilin do ta quaja frymëzues të këtyre rasteve. Kjo është ajo që mua më shqetëson më shumë. Do të vazhdojmë akoma me filozofinë e shtyllave të tensionit të lartë që hidheshin në erë dikur? Edhe ato nuk bëheshin se dikush kishte inat se pse kalonte energjia elektrike aty, por bëheshin për të dhënë një mesazh që ky vend është i paqëndrueshëm.

Pandi Gjata: A shikoni një dorë të sofistikuar pas këtyre ngjarjeve?

Fatos Klosi: Këtë nuk mund ta them, pasi nuk kam të dhëna, por është një dorë që frymëzon. Edhe në ngjarjet që ndodhën në Paris, policia tha se po kalohet në një formë të re terrorizmi. Terrorizmi bëhej dikur nga organizata të mëdha të lidhura me njëra-tjetrën, në një terrorizëm të frymëzuar nga idetë e terrorizmit, por të sajuar nga grupe të vogla. Edhe në këtë rast këtë kam frikë dhe nuk them se mund të jetë bërë nga një person i caktuar, edhe për faktin se nuk është më aq e vështirë të sigurohet lënda plasëse dhe këtu fillon edhe problemi i policisë dhe i Shërbimit Informativ.

Pandi Gjata: Si ka qenë reagimi i institucioneve që e parandalojnë këtë lloj situate, SHISH, informatorët e zonës?

Fatos Klosi: Nuk është problem i informatorëve të zonës. Ai që lëvizte me biçikletë një bombë e vuri te farmacia një te shkolla “Vasil Shanto”. Unë i trembem më shumë ngjarjeve, të cilat mund të jenë nisma të një personi apo një grupi shumë të vogël të frymëzuar nga diçka. Kjo gjë e bën të vështirë parandalimin, apo kapjen e autorëve. Natyrisht që duhet punuar të shkohet pas gjurmëve të tyre. Problemi më i rëndësishëm që duhet ndjekur është se nga buron kjo lëndë shpërthyese. Me sa di unë këto janë të tëra të inventarizuara dhe duhet mbajtur një inventar i saktë.

Pandi Gjata: Nga hetimet paraprake dhe nga ato që janë thënë në media është një tritol vendi, apo jo?

Fatos Klosi: Është thënë që është një tritol i sajuar dhe kjo e bën akoma më të vështirë zbulimin. Problemet nuk janë aq të thjeshta dhe të akuzojmë policinë. Krimi nuk bën gjëra të tilla, këto ishin të menduara që të mos kishte pasoja. Ndërsa vjedhja e bankës është me të vërtetë për t’u shqetësuar.

Pandi Gjata: Ajo është frymëzim i ngjarjeve që ndodhën më parë?

Fatos Klosi: Nuk mund ta quaj shfrytëzim i ngjarjeve, por mbase shfrytëzim i situatës që policia e ka vëmendjen diku tjetër.

Pandi Gjata: A është koha që të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare?

Fatos Klosi: Nuk ka nevojë për mbledhje të tilla. Njerëzit i dinë detyrat e tyre. Kërkohet një bashkëpunim i të gjithë aktorëve dhe faktorëve që merren me këtë punë. Spektaklet e mbledhjeve të mëdha nuk çojnë asgjëkund?

Pandi Gjata: A mendoni se duhet një ndryshim i taktikës së veprimit në këtë situatë të krijuar?

Fatos Klosi: Duhet seriozitet që gjithkush të bëjë atë detyrë për të cilën e ngarkon ligji. Të gjitha këto duhet të jenë mësim dhe nxitje që diçka të ndryshojë.

Pandi Gjata: Duke parë nga jashtë, a funksionojnë këto hallka, SHISH, Polici, Prokurori?

Fatos Klosi: Ne dëgjuam që mëngjesin e sulmeve me dinamit u mblodhën për të diskutuar. Dëgjuam versione të ndryshme që u morën dhe nuk u morën vesh. Për mua nuk janë këto probleme për publikun dhe nuk e di pse dalin në shtyp. Në kohën që unë kam qenë drejtues i Shërbimit Informativ, me ministrin e Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm takoheshim sa herë të donim dhe nuk bëhej publike. Këto janë takime pune të përditshme. 

Top Channel