Kosovë, miratohet në parim ligji për ndërmarrjet publike

13/02/2015 00:00

Pas gati 9 orë debati, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike.

Me 48 vota pro, 22 kundër, siç kishte paralajmëruar opozita dhe 1 abstenim, ky projektligj që pritet të sqarojë të ardhmen e kombinatit u kalon komisioneve për ndryshime.
 
Pikërisht neni 3 i projektligjit për ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, i cili u jep të drejtë komunave të vendosin për të ardhmen pronësore të pronave shoqërore përplasi pozitën dhe opozitën. Shumica parlamentare e kritikoi nenin dhe premtoi  ndryshim të tij në komisione, opozita kërkoi heqjen e tij dhe akuzoi qeverinë se ky nen ka ardhur si pasojë e shantazheve të Serbisë.
 
Kryeministri Mustafa tha se nuk dëshironte ta konsiderojë Vuçiçin Kryeministër të Kosovës, ndërsa garantoi se në asnjë rast as Kryeministri serb e as qeveria serbe nuk janë implikuar në çështjen e Trepçës. Sipas tij e ardhmja e Trepçës do të qartësohet me ligjin dhe strategjinë e veçantë, por e bëri të qartë se qeveria nuk është e interesuar t’i kthejë pronat shoqërore në ndërmarrje publike.

“Sa i përket Trepçës, dispozitat që kemi menduar në nenin tre nuk do të vlejnë. Trepça do të rregullohet me ligj të veçantë dhe po ashtu përkufizimi pronësor dhe ai ekonomik i saj. Në këtë rast ne jemi të interesuar që më tepër të orientohemi në përkufizimin ekonomik se sa në përkufizimin pronësor të Trepçës. Ne duhet të dimë se çfarë duam të përfitojmë nga Trepça, si ta bëjmë atë një organizatë ekonomike që të sjellë përfitime, një organizatë ekonomike në të cilën ne do të finalizojmë produktet dhe nuk do ta shesim. Nuk kemi për qëllim që disa ndërmarrje t’i shndërojmë në ndërmarrje publike sepse ne jemi të përcaktuar për ekonomi të tregut, por sepse jemi të interesuar që prona të caktuara t’i shndërrojmë në prona publike për t’i shfrytëzuar për nevoja publike të qyetarëve, prandaj në këtë aspekt ne plotësisht do të bashkëpunojmë dhe do të pranojmë sugjerimet”, tha Mustafa.

Por kjo deklaratë nxiti reagimin e fortë të Vetëvendosjes, e cila bëri thirrje për demonstrata mbarëpopullore. “Kryeministër, e thënë me fjalë të tjera, kjo i bie të jetë: Trepça nuk mund të bëhet publike sepse punon me humbje, ndaj duhet të gjeni një pretekst për ta shitur”, tha deputeti Glauk Konjufca.

“Shfrytëzojeni për të marrë anën që i përket Kosovës. Do të jetë një vendim afatgjatë dhe i mirë nëse e bëni këtë. Në rast të kundërt, mos u habisni kur tani që po vjen pranëvera dhe po ngrohet moti populli të zbresë në rrugë. Nuk mendoj se keni mundësi të luani fshehurazi me gjëra që kanë shkuar shumë gjatë”, tha nga ana tjetër Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ndërsa debati për shyqrtimin e parë të projektligjit për ndërmarrjet publike vazhdoi për disa orë, autoritetet qeveritare dhe grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së u shprehën të hapura për ndryshimin e nenit që ka të bëjë me të drejtën e komunave.

Ndërsa arsyetimi për vendosjen e këtij neni ishte se komunat në vazhdimësi janë ballafaquar me vështirëësi dhe ekzistojnë shumë kërkesa për  transferimin e aseteve dhe shtrytëzimin e pronave. Por, në shumicën e rasteve problemi ka lindur si pasojë e mungesës e ligjore.

Top Channel